×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti telefonatë me Kryetarin e Presidencës së Bosnjës: Ideja e shkëmbimit territorial Kosovë – Serbi na kthen në vitet e 90-ta

    Reporteri
    22 Maj 2020 | 18:06

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti sot zhvilloi një bisedë telefonike me Kryetarin e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës dhe anëtarin Boshnjak të Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Šefik Džaferović, thuhet në një njoftim të Qeverisë.


    Kreu i presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës e ka falënderuar Kurtin për heqjen e taksës. Më pas ata kanë folur rreth bisedimeve Kosovë – Serbi, e me këtë rast, thuhet në njoftim të Qeverisë, janë shprehur kundër shkëmbimit të territoreve mes dy vendeve në dialog, shkruan Reporteri.

    “Tutje, ata biseduan për marrëdhëniet bilaterale, lëvizjes së lirë të mallrave dhe të personave në mes dy shteteve. Me këtë rast, Džaferović falënderoi Kryeministrin në detyrë Kurti për vendimin për largimin e tarifës 100% ndaj mallrave nga Bosnjë dhe Hercegovina. Kryeministri në detyrë Kurti tha se Republika e Kosovës nuk duhet ta trajtojë dhe nuk do ta trajtojë njësoj Bosnjën dhe Hercegovinën sikurse Serbinë. Të dy konstatuan se kërcënimi më i madh me të cilin përballemi në dy vendet është lloji i politikës që nuk pati sukses gjatë luftës në vitet 90-ta, dhe se ideja e shkëmbimit territorial në mes Kosovës dhe Serbisë është e rrezikshme pasi e njëjta na kthen në vitet e 90-ta.

    Në fund, Kryeministri në detyrë Kurti dhe Kryetari i Presidencës Džaferović theksuan dhe u pajtuan se bashkëpunimi në nivel kulturor dhe historik duhet të forcohet, derisa ripërsëritën zotimin se Kosova dhe Bosnjë dhe Hercegovina mbeten të përkushtuara në anëtarësimin e tyre në NATO dhe Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin e Qeverisë./Reporteri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!