×
  • Lajme
  • Lajme / Homazhe në Mejë

    Kurti thirrje ndërkombëtarëve: Të rritet presioni ndaj Serbisë, të vihet drejtësi për gjenocidin e kryer në Kosovë

    Reporteri
    27 Prill 2025 | 16:30

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti, bashkë me ministren e Drejtësisë në detyrë Albulena Haxhiu, deputeten Mimoza Kusari-Lila dhe aktivistë të partisë bëri homazhe në varrezat e Mejës në kujtim dhe nderim të 376 civilëve shqiptarë të paarmatosur dhe të pafajshëm që u masakruan, u varrosën dhe më pas u rivarrosën në disa lokacione për të humbur gjurmët e krimit të kryer nga Serbia.

    Me këtë rast, Kurti u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që ta rrisin presionin ndaj Serbisë për të vërtetën e këtyre krimeve dhe për të vënë drejtësi për gjenocidin e kryer në Kosovë, shkruan Reporteri.net.

    Kryeministri kujtoi se masakra e kryer më 27 prill 1999 në Mejë dhe Korenicë është më e madhja në historinë e luftës së fundit në Kosovë.

    “Atë ditë, 26 vjet më parë, në këto fshatra të Gjakovës u vranë 376 civilë shqiptarë të paarmatosur dhe të pafajshëm. Në ditët pas masakrës, vazhdoi fshehja e trupave dhe shkatërrimi i dëshmive. Të vrarët u varrosën dhe u rivarrosën në disa lokacione. Një pjesë e madhe e tyre u transportuan në Serbi, në varreza masive në Batajnicë. Krahas Batajnicës, ku janë gjetur 744 njerëz tanë të vrarë dhe të rrëmbyer, janë zbuluar edhe katër varreza të tjera masive në Serbi. Mes viktimave ishin edhe Gjovalin dhe Milan Markaj nga Korenica, trupat e të cilëve u gjetën në Batajnicë. Tri ditë pas rivarrimit të tyre, nëna e tyre Pashke Krasniqi Markaj, dogji veten me benzinë për t’i dhënë fund jetës dhe dhembjes për të bijtë”, tha Kurti.

    Në hyrje të memorialit në Mejë, Kryeministri dhe delegacioni nderuan kujtimin e Nënës Pashke.

    “Sot e gjithmonë përkulemi para sakrificës, forcës dhe qëndresës së nënave dhe familjarëve të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës. Jo vetëm personat e zhdukur, por edhe familjet e tyre janë viktima të këtij krimi të vazhdueshëm, duke pritur drejtësi për të dashurit e tyre”, tha ai.

    Sot, kur Kosova shënon Ditën e Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë Luftës, Kurti theksoi rëndësinë që institucionet e drejtësisë të merren me rastet e krimeve të luftës, për shkak të kalimit të kohës dhe humbjes së dëshmitarëve.

    “Në dhjetor të vitit 2023, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 53 personave të dyshuar për masakrën e Mejës dhe fshatrave të rajonit Reka e Keqe të Gjakovës. Është e domosdoshme këmbëngulësia dhe mbështetje ndërkombëtare për këto krime të pazbardhura”, tha Kurti. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!