Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk është në dijeni për një deklaratë të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili tha se Bashkimi Evropian ka vërejtje në dy kushte nga gjithsej gjashtë sosh të cilat kryeministri ditë me parë i ka paraqitur për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
I pyetur nga gazetarët, Kurti tha se do të takohet me Bislimin për të kuptuar se çfarë komunikimi ka pasur ai me vendet e BE-së.
“Unë nuk jam në dijeni për ndonjë vërejtje të tillë për dy nga gjashtë kushtet. Mbase duhet ta takoj e të shoh se çfarë komunikimi ka pasur me vendet e BE-së”, u shpreh Kurti para mediave.
Kujtojmë se ka një kërkesë urgjente nga ana e bashkësisë ndërkombëtare për themelimin e Asociacionit të komunave serbe. Madje Serbia po e kushtëzon vazhdimin e mëtutjeshëm të dialogut me themelimit e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Kryeministri i Kosovës ka vënë gjashtë kushte në mënyrë që Asociacioni të mund të themelohet. Deri më tani kushtet e Kurtit nuk i kanë komentuar as nga BE-ja e as nga SHBA-ja.
Kurti ka thënë së është i gatshëm të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, por vetëm për të biseduar për propozimin franko-gjerman. /Reporteri.net/
Besnik Bislimi: BE-ja ka vërejtje në dy kushtet e Kurtit për Asociacionin