Këshilli i Ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, të enjten ia dhanë ‘dritën e gjelbër’ liberalizimit të vizave për Kosovën, që parashihet të zyrtarizohet në fillim të vitit të ardhshëm.
Në një reagim publik, kryeministri i vendit, Albin Kurti, nën moton “Pritjes së gjatë po i vie fundi”, deklaroi se ky vendim është meritë e Qeverisë së tij, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kësaj ia shtoi edhe disa krahasime të tjera që Kurti i konsideroi arritje, përfshirë fushën e drejtësisë dhe demokracisë.
“Ky vendim është vlerësim i qeverisjes sonë që po sjellë vendime të mira për qytetarët dhe njohje e reformave që po përmirësojnë indikatorët në organizata ndërkombëtare”, shkroi Kurti në Facebook, për ta përshëndetur vendimin e Këshillit të BE-së.
Mirëpo, në sytë e shefes së shtetit, Presidentes Vjosa Osmani, vendimi i sotëm për liberalizim të vizave, nuk përkon me idenë e Kurtit.
Sipas Osmanit, Kosova i ka përmbushur kushtet për liberalizim 5 vjet më parë, kur Kurti ishte në opozitë.
“Me kriteret e përmbushura 5 vjet më parë, ky proces i vonuar është megjithatë një fitim për qytetarët dhe vendin më të rinj të Evropës”, shkroi Osmani në Twitter.
Ministrat e Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian kanë miratuar sot vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën në takimin e Këshillit të Punëve të Brendshme në Bruksel.
Këshilli sot miratoi qëndrimin e tij në leximin e parë për lëvizjen pa viza për shtetasit e Kosovës.
Sot u bë një, kanë mbetur edhe 6 hapa drejt liberalizimit të vizave për Kosovën
Kujtojmë se Bashkimi Evropian e ka shtyrë funksionalizimin e sistemit ETIAS për në vitin 2024, ndonëse ai është paraparë të hyjë në fuqi më 1 nëntor të këtij viti.
Hyrja në fuqi e këtij sistemi është kthyer në temë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, sepse me të është lidhur liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.
Megjithatë, në vendimin për vizat për Kosovën, është thënë se nëse sistemi ETIAS nuk hyn në fuqi deri në nëntor të këtij viti, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.
Në faqen e ETIAS-it nuk janë dhënë arsye për shtyrjen e këtij vendimi. /Reporteri.net/