×
  • Lajme
  • Lajme / Kryeministri në detyrë

    Kurti thotë se partitë e tjera po ia zgjasin mandatin

    Reporteri
    24 Qershor 2025 | 11:31

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kritikuar ashpër opozitën kosovare për bllokimin e vazhdueshëm të konstituimit të Kuvendit të ri, duke theksuar se, ndryshe nga opozitat në demokracitë e tjera, ajo në Kosovë po i zgjat qëndrimin në pushtet qeverisë aktuale.

    “Ju të gjithë e dini se unë kam hyrë në çerekun e dytë të vitit të pestë të mandatit të plotë. Çdo opozitë demokratike përpiqet t’ia shkurtojë mandatin qeverisë, përveç opozitës kosovare, e cila – siç jeni dëshmitarë që po ia zgjat mandatin qeverisë aktuale”, tha Kurti gjatë një deklarimi për media, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Këtë deklaratë Kurti e bëri në përurimin e fillimit të punimeve për depon e re të barnave në Kosovë në Fushë Kosovë.

    Ai tha se nuk ka marrëveshje të fshehtë me partitë e ish-opozitës për të qëndruar më gjatë në pushtet.

    “Ju siguroj se kjo nuk është e vërtetë. Nuk kam shpjegim racional për këtë sjellje nëpër të cilën po kalojnë institucionet e Kosovës, në veçanti Kuvendi, sepse qeveria është në detyrë”, shtoi Kurti.

    Kurti  nënvizoi rëndësinë e konstituimit sa më të shpejtë të Kuvendit për të hapur rrugën për formimin e qeverisë së re: “Sa më herët që e konstituojmë Kuvendin me votim të fshehtë, që po e provojmë tani, aq më shpejt do të kemi një qeveri të re.”

    Kurti u shpreh se Kuvendi nuk mund të themelohet vetëm nga subjekti fitues, por kërkon konsensus më të gjerë: “Ata që e kanë shkruar Kushtetutën e kanë pasur të qartë këtë. Nga pesë nënkryetarë të Kuvendit, vetëm një i takon subjektit fitues. Edhe nëse VV merr 80% në zgjedhjet e ardhshme, do të ketë vetëm një nënkryetar.”

    Ai theksoi se kishte propozuar një marrëveshje për votimin në paketë të nënkryetarëve të Kuvendit, por kjo nuk ishte respektuar. “Unë kam propozuar, por nuk është respektuar që të ulemi bashkë dhe në paketë t’i votojmë nënkryetarët. Pastaj të kalojmë te ato 15 ditë kur duhet të formohet qeveria me mua si mandatar – dhe aty unë duhet të dëshmoj veten, ndërsa opozita të më testojë.”

    Kurti  tha se më 1 maj kishte tentuar një marrëveshje për votimin e kryesisë së Kuvendit, përfshirë përfaqësues të VV-së dhe të komuniteteve, por,  sipas tij – takimi dështoi për shkak të mungesës së kryetarit të LDK-së. “Mua mu tha se duhet të kemi marrëveshje politike dhe jo vetëm për procedurë”, tha ai.

    Ai përfundoi duke shprehur zhgënjimin për refuzimin e ofertës për një marrëveshje për koalicion nga LDK-ja, por theksoi se e ka përmbushur obligimin e vet institucional: “Kur nuk duan as marrëveshje për procedurë për themelimin e Kuvendit, as marrëveshje për formim të qeverisë, atëherë çfarë të bëj unë? Po e kryej obligimin tim duke mos munguar në asnjë vazhdim seance.”

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!