Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, sot ka dhënë detaje për takimet që zhvilluan gjatë kësaj jave me kreun e LDK-së, Isa Mustafa.
Edhe pse pas certifikimit të rezultatit zgjedhor kishte deklaruar se do të arrijnë brenda 72 orësh marrëveshje me LDK-në, tash kreu i VV-së ka ndërruar fjalët.
Bisedimet me partinë e Isa Mustafës i quan të rënda.
“Duhet t’i ruajmë nervat. Të punojmë e të angazhohemi, por me durim. Këto bisedime nuk janë të lehta”, ka thënë Kurti në mbledhjen e parë me Qendrat e Lëvizjes për vitin 2020.
Por Kurti ka paralajmëruar biseda edhe më të rënda pasi të bëhet kryeministër, sigurisht duhet të arrin marrëveshjen me LDK-në për ta siguruar këtë pozitë.
“Edhe më të rënda na presin bisedimet në të ardhmen si qeveri me faktorë të ndryshëm”, ka thënë Kurti, shkruan Reporteri.net.
Por ai kur paralajmëron bisedime të rënda, nuk ka treguar se për cilët faktorë e ka fjalën.
Por duke ditur se dialogu me Serbinë do jetë top-temë pasi të formohet qeveria, kreu i VV-së sikur ka lënë të nënkuptohet se e ka pasur fjalën për një gjë të tillë.
Kujtojmë se Kurti disa here ka deklaruar nëpër intervista se dialogun politik me Serbinë do ta udhëheqë ai, dhe se presidenti Hashim Thaçi nuk do të mund të udhëheqë më me këtë proces.
I pyetur se çfarë do të bëjë ai nëse ndërkombëtarët do të thërrasin, Thaçin, në bisedime me Serbinë, Kurti kishte deklaruar se kjo është shkelje e kushtetutës.
“Nëse do të ndodhje kjo, kjo është shkelje e kushtetutës. Është gjykata Kushtetuese që ka vendosur se drejtues i negociatave me Serbinë është kryeministri. Hashim Thaçi do të jetë drejtues i shtetit, por ai nuk do të mund të drejtojë apo bëjë politikën e jashtm”, kishte thënë Kurti. /Reporteri.net/.