×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti thotë se PDK dhe Lista Serbe punojnë në ndarjen e Kosovës

    Reporteri
    05 Maj 2019 | 19:05

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës dhe Lista Serbe kanë politika të përbashkëta, pasi sipas të dyja kanë politikë ndarjen e Kosovës dhe legjitimimin e strukturave kriminale të Serbisë.


    Kurti këto komente i bëri në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, duke shtuar se për zgjedhjet në veri qytetarët kanë vetëm dy mundësi.

    “Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme dhe i kemi vetëm dy alternativa, nga njëra anë Lista Serbe dhe PDK-ja nga ana tjetër kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje. Lista Serbe dhe PDK nuk janë me kandidatë të përbashkët por me politika të përbashkëta për ndarjen e Kosovës por edhe për legjitimimin e strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë. Vet lista Serbe nuk do të kishte mundësi që të vepronte në Kosovë e kundër Kosovës pa lejen dhe miratimin e PDK-së”, ka thënë Kurti.

    Kreu i LVV-së kritikoi edhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

    Kryeministri, sipas Kurtit, nuk është duke insistuar në mos heqjen e taksës ndaj produkteve serbe se beson në të por se e di se do ta heqin nga pushteti.

    “Kryeministri Haradinaj nuk po qëndron se beson në taksën 100% por se e donë pushtetin, e ka kuptuar po e hoqi taksën do ta heqin nga pushteti prandaj po e zgjat sa të mundet qëndrimin në pushtet”, tha ai më tutje.

    Ndër të tjera Kryetari Kurti tha se fushata kundër PANhajnisë do të vazhdojë me tubime e aktivitete të tjera.

    Ndërkohë ai nënvizoi se Telekomi i Kosovës duhet mbrojtur bashkë me punëtorët e tij nga tajkunët e ekonomisë dhe oligarkët që po përpiqen ta shkatërrojnë.

    Këshilli, po ashtu, përmes votimit miratoi grupin punues për ndryshime statutore dhe bëri zëvendësimet e plotësimet për disa prej pozitave staturore për organet e Lëvizjes, përkatësisht në Komisionin Statutor, Komisionin Disiplinor dhe për Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë, detyrë e cila iu ngarkua aktivistit Kreshnik Ahmeti.

    Kurti në këtë tubim ka prezantuar edhe kandidatët e LVV-së për kryetarë të komunave me shumicë serbe.

    Kandidatët e LVV-së janë: Liridona Kahrimani, kandidate për kryetare në Zubin Potok, për komunën e Leposaviqit, Fisnik Veseli, për komunën e Zveçanit do të jetë Avdi Peci, dhe për gjysmën veriore të Mitrovicës do të jetë Erden Atiqi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!