×
  • Lajme
  • Lajme / Krimet serbe

    Kurti: U bëj thirrje ndërkombëtarëve që t’i kërkojnë Serbisë zbardhjen e fatit të të zhdukurve gjatë luftës

    Reporteri
    05 Prill 2024 | 11:03

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar se si në Rezallë të Skënderajit, 98 burra dhe djem u pushkatuan vetëm për shkak se ishin shqiptarë. Të shtënat kishin zgjatur 30 minuta, përcjell Reporteri.net.

    Kurti kujton se pas ekzekutimit mizor e barbarë më 5 prill 1999, forcat e armatosura të Serbisë ua rrëmbyen kufomat.

    “29 prej tyre janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. Nga Kizhevaku i Serbisë, më 30 shtator 2021, na u kthyen në Kosovë eshtrat e shtatë prej të vrarëve në këtë masakër. Mes tyre ishin edhe dy ribashkime me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë të Serbisë”, shkroi Kurti në Facebook.

    Andaj, shkruan Kurti, “sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që nga Serbia, si përgjegjëse për vrasjen dhe zhdukjen e të dashurve tonë, të kërkojnë zbardhjen e plotë të fatit të tyre dhe drejtësi për viktimat dhe familjet”.

    “Drejtësia vendore duhet pa vonesë dhe me ngulm të veprojë, që përgjegjësit, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët, të gjykohen e të dënohen. E vërteta e krimeve të Serbisë në Kosovë nuk mund të mbulohet nga dheu i varrezave masive. Nuk mund të lejojmë harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë”, shkroi tutje kryeministri Kurti.

    “Duke nderuar të kaluarën, me drejtësi për viktimat, angazhohemi për të ardhmen e Republikës sonë. Për Kosovën e pavarur, ku brezat e rinj rriten të lirë e të sigurt. Duke mësuar nga e kaluara, ecim përpara me shpresë dhe vendosmëri. Përkujtimi ynë është dëshmi e përkushtimit për të mos harruar sakrificat për të shtrenjtën e shenjtën liri. I përjetshëm qoftë kujtimi i martirëve të kombit nga Rezalla! Lavdi!”, përfundoi Kurti.

    Osmani: Regjimi kriminal serb kreu krime makabër në Kosovë, e nevojshme sjellja e autorëve para drejtësisë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!