Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar për në Hamburg të Gjermanisë.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit po qëndron atje me ftesë të Përfaqësuesit të Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Gjatë qëndrimit atje, Kurti do të përcjellë përballjen mes Shqipërisë e Kroacisë në kuadër të “Euro 2024”.
“Vizitën në portin e Hamburgut për të parë nga afër Sistemin e Skanimit të Ngarkesave me Rreze X në port, kryeministri do ta bëjë së bashku me përfaqësuesin Special të Qeverisë së Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin, për të vazhduar më pas edhe në stadiumin e Hamburgut në mbështetje të kombëtares shqiptare sot në përballje me Kroacinë, në kuadër të EURO2024”, thuhet në njoftim.
Kurti atje është takuar me bashkatdhetarë, me të cilët kanë biseduar për zhvillimet aktuale në Kosovë.
“Ndër të tjerash, ai veçoi procesin e regjistrimit të popullsisë, që për herë të parë është bërë në formë online përmes e-diaspora, vendimet e qeverisë në javën e kaluar, për të ndarë tre milionë euro për mbulimin e policës kufitare për bashkatdhetarët që vijnë në Republikën e Kosovës dhe tre milionë tjera për garantimin e kredive të bizneseve që hapen nga bashkatdhetarët tanë me qëllimin që bashkatdhetarët që kanë biznese në diasporë të kthehen dhe të investojnë në vend dhe miratimin e Ligjit për Zgjedhjet, i cili mërgatës iu mundëson votimin fizikisht në ambasada dhe konsullata ose votimin në postë të brendshme
Kryeministri gjithashtu përmendi programin e Ministrisë së Punëve të Jashtme për Diplomaci Qytetare, përmes së cilit shumë profesionistë të rinj po vijnë në Kosovë dhe po kontribuojnë në institucionet shtetërore me ekspertizën dhe kualifikimet e tyre”, thuhet në njoftim.
Në Hamburg të Gjermanisë, kryeministri Kurti po shoqërohet nga ministri për Kthim edhe Komunitete, Nenad Rashiq dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani. /Reporteri.net/