Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se Qeveria Hoti, nuk është qeveri, e cila do të qeverisë pasi sipas tij, me të, do të qeverisë presidenti Hashim Thaçi.
Kurti thotë se protestat kundër qeverisë janë të pashmangshme dhe se ato, siç thotë ai, do të vijnë shpejt. Kurse sa i takon mundësisë se një marrëveshjeje me Serbinë, e negociuar nga presidenti dhe kryeministri, Kurti thekson se nuk do të ketë marrëveshje, sepse thotë ai, ‘Thaçi e Hoti, nuk kanë kapacitet për t’u përballur me Serbinë’.
Sipas Kurtit, dialogu me kushtet e armikut është dorëzim.
“Unë jam gjithmonë i gatshëm për dialog, por jo për dialog ku tupanin e ka Serbia. Unë dua barazi. Duhet të diskutojmë se çka do të diskutojmë. Unë nuk jam as për armiqësi, as për servilitet. Jam për partneritet dhe aleancë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me NATO-n dhe sidomos Gjermaninë. Mirëpo, unë nuk mund të nënshtrohem dhe dorëzohem çka të thotë ambasadori Grenell, sepse ia paska thënë [presidenti serb Aleksandar] Vuçiq një gjë të tillë kur ka qenë në Beograd, e ta pranoj unë këtu. Dorëzim do të ishte pikërisht ai. Dialogu me kushtet e armikut është dorëzim. Unë këtë s’e bëj kurrë.