×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti uron Amerikën në 248-vjetorin e shënimit të Pavarësisë

    Reporteri
    04 Korrik 2024 | 13:00

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës në nder të shënimit të 248-vjetorit të Pavarësisë.

    “Më 24 qershor 1826, Thomas Jefferson shprehu një dëshirë vdekjeprurëse: që Deklarata e Pavarësisë do të frymëzonte pjesën tjetër të botës të “shpërthejë zinxhirët” dhe “të marrë bekimet dhe sigurinë e vetëqeverisjes”. Jefferson ndërroi jetë vetëm dhjetë ditë më vonë, më 4 korrik – ditëlindja e 50-të e vetë kombit që ai ndihmoi të themelohej”, ka shkruar Kurti në X.

    “Gati 200 vjet pas vdekjes së Jeffersonit, ne jemi ende duke punuar pa u lodhur për të përmbushur dëshirën e tij të fundit. Nga kabinat e votimit anembanë botës, te fushat e betejës patriotike të Ukrainës trime, le të vazhdojmë të gjithë të bëjmë pjesën tonë në këtë luftë të pafundme—për të mbajtur gjallë Shpirtin e ’76-ës, për veten dhe për brezat që do të vijnë. Gëzuar katër korrikun!”, shkroi Kurti.

    Dy ditë më parë ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë organizoi një ceremoni me rastin e 4 Korrikut, 248 vjetorit të pavarësisë së SHBA-së.

    Në këtë ceremoni ishin të pranishëm presidentja e vendit, Vjosa Osmani, një numër i madh deputetësh të Kuvendit të Kosovës, pjesëtarë nga mediat dhe shoqëria civile, etj.

    Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, uroi amerikanët por edhe popullin e Kosovës derisa ka thënë se mbështetja për Kosovën vazhdon.

    “Sot ne festojmë 248 vjetorin e Shteteve të Bashkuara si një shtet demokratik dhe i lirë, duke i çmuar parimet e jetës, lirisë dhe lumturisë, parime që kanë frymëzuar shumë vende të tjera, përfshirë Kosovën. Ne jemi krenarë për mbështetjen tonë për popullin e Kosovës tash e një çerek shekulli, duke ndihmuar në ndërtimin e kombit tuaj sovran, të pavarur dhe multietnik. Faleminderit që festuat me ne, gëzuar Ditën e Pavarësisë SHBA”, shkroi Hovenier. /Reporteri.net/

    “Aleancë që do t’i mbijetojë kohës dhe sfidave”, Kosova uron SHBA-në për 248 vjetorin e pavarësisë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!