×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti uron Krasniqin për zgjedhjen si kryetar i PDK-së, i ofron bashkëpunim dhe ballafaqim të ideve për të mirën e shtetit

    Reporteri
    03 Korrik 2021 | 16:15

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, njëherit kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka uruar kreun e ri të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.


    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka shprehur gatishmërinë e tij për bashkëpunim për tema të interesit nacional dhe për ballafaqim të ideve në të mirë të vendit, shkruan Reporteri.net.

    “Si kryeministër i Kosovës dhe kryetar i Lëvizjes i ofroj bashkëpunim në temat me interes nacional dhe ballafaqim të ideve e qëndrimeve për të mirën e përbashkët të shtetit dhe qytetarëve”, ka shkruar Kurti.

    Ndryshe, Memli Krasniqi është zgjedhur sot kryetar i PDK-së.

    Krasniqi ishte i vetmi nga PDK-ja i cili kishte shpallur kandidaturën për të marrë drejtimin e partisë, në Konventën e jashtëzakonshme zgjedhore të PDK-së.

    Para delegatëve, Krasniqi ka thënë se PDK-ja si parti kurrë nuk ka qenë më e goditur se sot, derisa është zotuar se do të punojë për ta rikthyer këtë parti në vendin e parë.

    Ai do të udhëheqë partinë për dy vjet, pasi dy vjetët e para të mandatit të kryetarit i ka kryer Kadri Veseli.

    Postimi i plotë i Kurtit:

    I uroj punë të mbarë kryetarit të ri të PDK-së, z. Memli Krasniqi.

    Mbështetjen që e mori sot nga strukturat e subjektit të tij i garantojnë një udhëheqje stabile për t’i zhvilluar reformat që mendon se janë të nevojshme për PDK-në.

    Si kryeministër i Kosovës dhe kryetar i Lëvizjes i ofroj bashkëpunim në temat me interes nacional dhe ballafaqim të ideve e qëndrimeve për të mirën e përbashkët të shtetit dhe qytetarëve.

    Të punosh për Kosovën e kombin tonë nuk është kurrë mjaftueshëm dhe e kemi obligim secili.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!