Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryeministri aktual i Kosovës ka thënë se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të mira, pavarësisht se emisari amerikan, Richard Grenell, tha se Kurti është politikan jo i besueshëm dhe siç tha ai po mashtron kosovarët kur pretendon se raportet Kosovë-SHBA janë të mira.
Kurti në Istogu Channel, një medium lokal, ka thënë se raportet mes Kosovës dhe SHBA-së kurrë s’kanë qenë më mirë.
“Ti e din shumë mirë, unë tan jetën kam qenë aktivist, po jo analist. Ata që bëjnë analiza janë nëpër studio televizive, që thonë a e pe qysh e kqyri… Kurrë ma mirë s’i kemi pasë. Po blejmë edhe helikoptera Black Haëk pas sistemit Javelin anti-tank, grantin më të madh nga SHBA e kemi marrë gjatë qeverisjes time. Kurrë ma mirë nuk u kanë. A ka naj herë kritika e vërejtje, po, po na duhet me ecë përpara”, ka thënë Kurti në Istogu Channel.
Kurti ka thënë se tashmë pas qeverisjes së tij, raporti Kosovë-SHBA ka avancuar dhe nuk është vetëm diplomatik, por edhe i sigurisë dhe i fushës së energjetikës.
Djali i presidentit amerikan, Donald Trump, Donald Trump Junior, të mërkurën ka shpërndarë postimin e emisarit për misione të veçanta, Richard Grenell në të cilin ai thoshte se kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, i cili po përpiqet të marrë edhe një mandat qeverisës, po mashtron qytetarë se është i afërt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pak ditë para zgjedhjeve, Grenell u tha qytetarëve se Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Kurti ka qenë gjithashtu kundër çdo ideje të SHBA-së të ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump. Retorika e përdorur nga Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni”, ka shkruar Grenell në postimin që u shpërnda edhe nga djali i presidentit amerikan.
I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për misione speciale, Richard Grenell e ka ‘goditur’ dy ditë më parë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ai tha se SHBA-ja ka nevojë për partnerë të besueshëm dhe e ka kritikuar Kurtin se ka ndaërmarrë veprime të njëanshme që e kanë destabolizuar rajonin.
“Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë drejt paqes për të gjithë në Ballkan. Por ne kemi nevojë për partnerë të besueshëm. Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Bidenit. Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që e destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe BE-ja dhe NATO-ja. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”, shkroi Grenell në X.