×
  • Lajme
  • Lajme / Dialogu

    Kurti: Vuçiqi insiston në Marrëveshjet e 2013-tës dhe 2015-tës me Thaçin e Mustafën, sepse ajo e 2023-tës sjell njohjen reciproke

    Reporteri
    19 Prill 2024 | 11:03

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar se sot bëhen 11 vjet nga Marrëveshja e 19 prillit e vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë, nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, përcjell Reporteri.net.

    Kryeministri Kurti, përmes një shkrimi të gjatë në Facebook tregon se pse, sipas tij, presidenti serb nuk do që ta nënshkruajë një marrëveshje të arritur në Bruksel më 2023 nga ai dhe Kurti, por do që të nënshkruajë marrëveshjen e vitit 2013 mes Thaçit e Daçiqit dhe më vonë, më 2015, mes Isa Mustafës dhe Vuçiqit.

    Kurti kutjon se Marrëveshja i ka 15 nene ku 6 nenet e para merren me një “Asociacion/Bashkësi të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë”.

    “Nenet tjera në vijim merren me integrimin e komunitetit serb në institucione të Kosovës, çështjen e energjisë dhe pajtimin që të mos pengohet rrugëtimi i njëri-tjetrit drejt integrimit në BE. Zbatimi i neneve për ‘Asociacionin’ u përcoll me një marrëveshje tjetër të parimeve të përgjithshme/elementeve kryesore që u pat arritur dy vjet më vonë, më 25 gusht të vitit 2015, nga kryeministrat e asaj kohe Mustafa dhe Vuçiq”, shkroi Kurti në Facebook.

    Kjo e fundit, thotë Kurti, përfundoi në Gjykatë Kushtetuese në dhjetor të atij viti. Doemos, pasi që marrëveshja e vitit 2015 buronte nga ajo e vitit 2013, gjykata u mor me të dyja.

    “Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj tha se kompetencat e parapara për ‘Asociacionin’ sipas të dy marrëveshjeve, shkelnin parimet e kushtetutës, karakterin multietnik të shtetit dhe cenonin rëndë rendin juridik. Pas këtij vendimi të Gjykatës ku ‘Asociacioni’ me fushëveprimin dhe kompetencat e parapara shkelte rëndë Kushtetutën, marrëveshja u shkel nga Serbia në nenet tjera të saj”, shkroi kryministri Kurti.

    Serbia, thotë Kurti, asnjëherë nuk respektoi nenin 14 të marrëveshjes për mos pengim të rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së ndërkaq shkeli edhe të gjitha nenet tjera për integrimin e serbëve në institucione duke i bojkotuar ato në formë kolektive e me urdhër nga Beogradi.

    “Para 11 vjetëve u arrit një marrëveshje e cila, në njërën anë, shkelte Kushtetutën e Kosovës e, në anën tjetër, u shkel nga Serbia”, tha kryeministri Kurti.

    “Vitin e kaluar kemi arritur një Marrëveshje të Re Bazike e cila, në njërën anë, sjell njohjen reciproke de facto dhe normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e në anën tjetër, përmes nenit 7, adreson gjetjet e Gjykatës Kushtetuese ndaj ‘Asociacionit’”, shkruan Kurti.

    Kryeministri Kurti thotë se Serbia, në vend që të pranojë të nënshkruajë Marrëveshjen Bazike të vitit të kaluar të arritur në Bruksel ku e ka nenin 7, po insiston e kërkon ato dy marrëveshjet e viteve 2013 e 2015 që përbëjnë shkelje të dyfishtë.

    “Nuk mund të flasim e diskutojmë vetëm për ‘Asociacionin’:”, shkruan Kurti duke shtuar;

    – pa e pranuar dhe respektuar Marrëveshjen Bazike (Bruksel, 27 shkurt 2023) me Aneksin e Zbatimit (Ohër, 18 mars 2023);

    – pa përfshirë të gjitha 39 marrëveshjet e dakordimet në Bruksel (neni 10 i Marrëveshjes Bazike);

    – pa konstatuar që marrëveshja Thaçi-Daçiq (2013) është shkelur dhe vijon të shkelet nga Serbia kurse vazhdimi i saj Mustafa-Vuçiq (2015) është rrëzuar në Gjykatë Kushtetuese.

    “E sot u bënë 11 vjet edhe nga zotimi i njëanshëm i ish kryeministrit Thaçi në Bruksel te sekretari i atëhershëm i përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen, se FSK nuk do ta kalojë lumin Ibër pa lejen e KFOR-it. Në këtë 11 vjetor, ushtria e Serbisë në Peshter të Sanxhakut (30 kilometra larg kufirit të Kosovës e 3 kilometra larg atij të Serbisë) do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë!”, shtoi kryministri Kurti.

    “Qeveria jonë ka shumë më tepër probleme të trashëguara për progresin e Kosovës sesa sfida të kohës. përkundër të gjitha atyre, po ia dalim me sukses”, përfundoi Kurti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!