Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka reaguar pas mbledhjes së Komisionit të Pavarur të Mediave, ku ka thënë se u kompletua kapja politike e këtij institucioni.
Kusari ka thënë se ndryshimi i rregullores së punës u bë kundërligshëm dhe se kryetari aktual, Jeton Mehmeti, u shkarkuar De Facto nga pozita e kryetarit të KPM’së, e duke shtuar se kryetari i ri i zgjedhur është jolegjitim, shkruan Reporteri.net.
“Ky është sulm politik ndaj pavarësisë së Komisionit të Pavarur për Media dhe është bërë për të ushtruar presion në televizione. Ne punën tonë e kryme, e dokumentuam kapjen politike nga pushteti të KPM-së”, ka shkruar Kusari.
Ndryshe, Komisioni i Pavarur i Mediave ka zgjedhur Besnik Berishën, si kryetar të ri të KPM’së, tri ditë pa i përfunduar mandati kryetarit aktual, Jeton Mehmetit. Zgjedhja e tij është bërë me katër vota “pro” dhe një votë e pavlefshme.
Emri i Besnik Berishës është propozuar nga një prej anëtarëve të KMP-së. Gjithashtu është propozuar për nënkryetare Luljeta Aliu, e cila e ka thirur mbledhjen.
Anëtarët e këtij komisioni kanë votuar pro ndryshimit të Rregullores së Punës, saktësisht Nenit 3 për Zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarit të KPM’së, me propozim të Berishës.
Me tri vota për, një kundër dhe një abstenim, u votua që tek Neni 3 të shtohet pika që mundëson zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarit të ri, para skadimit të mandatit të kryetarit dhe nënkryetarit aKtual.
Kryetari aktual, Jeton Mehmeti, votoi kundër këtij propozimi.
“Përjashtimisht nga paragrafi 1 i këtij neni zgjedhja e Kryetarit, përkatësisht Nënkryetarit, mund të bëhet brenda një (1) muaji para skadimit të mandatit të Kryetarit, përkatësisht Nënkryetarit veçanarisht për t’u siguruar që KMP nuk mbetet pa Kryetar, përkatësisht Nënkryetar në rastet kur mund të mbetet pa kuorum për zgjedhjen e tyre”, është pika 2, që u shtua tek Neni 3.