Një fotografi e publikuar dje nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, tronditi opinionin në Kosovë e më gjerë.
Brovina prezantoi atë që e cilësoi dëshmi fotografike të përdhunimit të një gruaje kosovare në kohë të luftës, nga ushtarët serbë, në sytë e familjes së saj. Por nuk ishte ashtu, ajo fotografi doli të jetë nga një film pornografik.
Ndaj këtij skandali ka reaguar edhe deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari, e cila ka thënë se deputetja Brovina mund të ketë rënë viktimë me apo pa vetëdije, mirëpo sipas saj në tërë këtë skandal Kosova del humbësja më e madhe, shkruan reporteri.net.
Shkrimi i plotë i deputetes së Alternativës:
Sonte humbëse është e tërë Kosova
Viktimat u dhunuan edhe një herë, të gjitha me radhë, në shtetin që ka humbur ndjesinë për drejtësinë.
Sot viktimë me ose pa vetëdije është edhe Deputetja Flora Brovina. Ajo sot tregoi se për kundër bindjeve dhe punës së saj, prapë se prapë mendimi i dikujt në parti e shtyen të bëjë këtë GABIM që do të duhet muaj dhe vite të tëra të ndreqen (nëse mund të ndreqet).
Sot viktimë është e tërë Kosova, se sot Kuvendi synon të bëhet prokurorë dhe gjyqtarë në sistemin ku kemi rend dhe ligj dhe asgjë nuk u bë për 20 vite, por me rezolutë mundohet të fillohet dënimi i krimeve të luftës në Kosovë.
Sot e njëjta parti që udhëhoqi dialogun dhe kurrë nuk ju përmendi krimet në dialog atyre që i kryen, ju hodhi në fytyrë pamjet e tmerrshme të dhunimit makabër popullit të Kosovës, thuase ata duhet të vuajnë ende.
Sot nuk u viktimizuan vetëm viktimat edhe një herë, sot viktimë u bë e tërë Kosova duke e kuptuar prapë sa poshtë kemi ra dhe sa i ulët është niveli i komunikimit dhe garës politike në Kosovë.
Sot viktimë është e tërë Kosova!
#Naplasetzemren.