×
  • Lajme
  • Lajme / Ngërçi politik

    Kusari-Lila: Vendi nuk mund të mbetet peng i kalkulimeve partiake

    Reporteri
    01 Qershor 2025 | 16:07

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari–Lila, thotë se Kosova ka nevojë urgjente për funksionalitet institucional.

    Ajo përmes një postimi në Facebook ka shkruar se pavarësisht mosdakordimeve dhe rivaliteteve politike, vendi nuk mund të mbetet peng i kalkulimeve partiake, duke i bërë thirrje partive të ish-opozitës për reflektim.

    Ajo tutje shton se qytetarët kanë votuar dhe presin që institucionet të funksionojnë dhe të marrin vendime fuqiplotë.

    Postimi i saj i plotë:

    Nga zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit 2025, LVV – Guxo – Alternativa dolën me 48 deputetë, PDK me 24 deputetë, LDK me 20 deputetë, LS me 9 deputetë, AAK-Nisma me 8 deputetë, KDTP me 2 deputetë dhe SPO, NDS, VAKAT, SDU, PLE, PAI, PREBK, IRDK, JGP me nga një deputet.

    1. Me të filluar seanca për konstituimin e kuvendit të legjislaturës së nëntë me 15 prill, deputetët e opozitës votuan kundër duke pamundësuar betimin e deputetëve.

    2. Kryesuesi i seancës, deputeti më i moshuar, Avni Dehari, i shkroi letër Presidentes Osmani duke e pyetur si të ecim tutje dhe ajo menjëherë ju përgjigj: ju deputetët e zgjedhur merruni vesh e gjeni zgjidhje.

    3. Deputetët opozitarë ndërruan qëndrim lidhur me verifikimin e mandateve dhe deputetët u betuan me 19 prill. Subjekti fitues i zgjedhjeve propozoi për kryetare të kuvendit Albulena Haxhiun, deputeten më të votuar që kishte marrë mbi 125 mijë vota me 9 shkurt.

    4. Albulena Haxhiu mori 57 vota, pra 48 të LVV dhe 9 nga komunitetet joshumicë. Në bazë të Rregullores së Kuvendit, seanca duhej vazhduar më së largu çdo 48 orë. Meqë nuk kishte marrëveshje pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive që organizoi kryesuesi Dehari, LVV ishte e detyruar ta përsëriste propozimin e saj.

    5. Pas gjashtë votimeve të pasuksesshme për kryetare të Kuvendit, kryesuesi Avni Dehari kërkoi të provojmë votimin e fshehtë bazuar në pikat 124 dhe 125 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga 26 gushti i vitit 2014. Themelimin e komisionit përkatës deputetët opozitarë po e bojkotojnë tash e 16 herë!

    6. LDK ka refuzuar të marrë pjesë edhe në takimin për marrëveshje për konstituim të kuvendit me 1 maj, edhe në atë për marrëveshje politike me 5 maj. Të dyja këto takime ishin thirrur nga kryetari i LVV dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.

    7. Që nga 12 maji, çështja e votimit të fshehtë është adresuar në Gjykatën Kushtetuese nga 5 deputetë të AAK, 5 të LDK-së dhe një të PDK-së. Nesër mbushen tri javë prej se jemi në pritje të gjykimit të saj.

    8. LVV e ka kryer obligimin kushtetues, e ka dhënë propozimin e vet për kryetar kuvendi pa asnjë vonesë (për dallim nga PAN-i në verën e vitit 2017).

    9. LVV njëmend nuk e ndërron propozimin, por tanimë çështja është kuorumi për votimin e fshehtë dhe jo Albulena. Në kundështim me pikën 128 të aktgjykimit të GjK nga viti 2014, nesër opozita do ta pamundësojë kuorumin për herën e 17!

    10. Bojkoti e bllokimi opozitar në thelb është pakënaqësi dhe mospranim i rezultatit zgjedhor.
    Pavarësisht mosdakordësive dhe rivaliteteve politike, vendi nuk mund të mbetet peng i kalkulimeve partiake. Kosova ka nevojë urgjente për funksionalitet institucional. Opozita duhet të reflektojë me përgjegjësi për domosdoshmërinë e konstituimit të Kuvendit, për formimin e qeverisë dhe për kthimin e plotë të kompetencave qeverisë në detyrë.

    Qytetarët kanë votuar dhe presin që institucionet të funksionojnë dhe të marrin vendime fuqiplotë, jo të zvarriten për shkak të inateve politike dhe mospjesëmarrjes në votime në Kuvend.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!