×
  • Lajme
  • Lajme / Pakënaqësitë me shtesat për rrezikshmëri

    Kush është NjSI, njësia më elitare e Policisë së Kosovës që protestuan sot para Qeverisë

    Reporteri
    01 Nëntor 2023 | 15:04

    Pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës dhe të Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive protestuan para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar rishikimin e kategorizimit për rrezikshmërinë në punë.

    Këto dy njësite elitare të Policisë thanë se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave të tyre, teksa kërkuan që të mos luhet me dinjitetin e tyre.

    Njësia Speciale Intervenuese fillimisht  bojkotuan njërën prej festave shtetërore që organizohet tradicionalisht nga institucionet kosovare.

    Në shenjë bojkoti për trajtim jo të dinjitetshëm e mos përmbushje të kërkesave të tyre, ata nuk morën  pjesë në “Darkën e Lamës” të organizuar  nga Zyra e Presidentes Vjosa Osmani në kampin e njësive speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicën e Jugut.

    Disa nga pjesëtarët që ishin edhe pjesë e aksionit policor në Banjskë, nuk kishin pranuar që të ulen në tavolinën e “Darkës së Lamës” që u shtrua më 18 tetor 2023.

    Njësia Speciale Intervenuese hynë në kategorinë e njësive elite të Policisë së Kosovës. U themelua në vitin 2007 ndërsa morën pjesë në operacione të shumta të cilat u shënuan përgjatë këtyre viteve që nga themelimi i saj, duke nisur nga ajo e fundit, sulmi terrorist në Banjskë të Komunës së Zveçanit.

    Një tjetër ngjarje të cilën e udhëhoqi FIT-i ishte edhe arrestimet që ndodhën në veri të vendit në muajt e fundit. Ndër to ishte edhe arrestimi i Millun Millenkoviq i njohur si “Llune”.

    Njësia FIT kishte marrë pjesë edhe në arrestimin e ish-shefit të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq në vitin 2018.

    Policia e Kosovës ka disa njësi speciale, duke filluar nga Njësia e Reagimit të Shpejtë, Njësia Speciale Operative dhe të tjera, por njësia kulmore edhe brenda Specialëve është pikërisht NjSI-ja.

    Njësia Speciale Intervenuese (NJSI), kryen operacionet e sigurisë në raste të veçanta dhe zgjidhjen e situatave me të cilat nuk mund të përballohen shërbimet e tjera të policisë.

    Kujtojmë se sipas propozimit të Qeverisë së Kosovës me të cilin policët  e kësaj njësie elitare nuk po pajtohen, pjesëtarët e njësive elitare (Njësia Speciale Intervenuese, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësia për Mbrojtje të afërt) do t’i marrin nga 150 euro shtesë në pagën bazë. /Reporteri.net/

    Njësia Speciale Intervenuese e Policisë së Kosovës nisin protestën para Qeverisë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!