Përmes një video-mesazhi, pak para takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti bëri publike emrat e kandidatëve të tij, sa i takon krijimit të qeverisë së re të Kosovës.
Megjithëse pesë prej tyre janë të njohur për opinionin dhe veprimtarinë e tyre publike si Haki Abazi, Albulena Haxhiu, Besnik Bislimi e Blerim Reka e Arben Vitia njëra nga të propozuarit e Kurtit për ministre mbetet e panjohur për shumicën e njerëzve.
Ajo është Rozeta Hajdari e propozuara e qeverisë Kurti për ministre të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë.
Por kush është Rozeta Hajdari?
Ministrja e mundshme e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari ka studiuar në Suedi, ndërsa është pronare e një kompanie të quajtur “R&V Consulting”, e cila merret me këshillimin e bizneseve. Ajo punon si koordinatore për Arsim të Lartë në organizatën joqeveritare që vepron në Kosovë, “Austrian Development Agency”.
Duhet thënë se Hajdari është një emër jo fort i njohur dhe se informacioni rreth saj mbetet i pakët.
Duke u bazuar në të dhënat e saj në rrjetin ‘Linkedin’, Rozeta Hajdari ka një përvoje të gjatë në projekte të huaja.
Ajo nga tetori i vitit 1999 deri në gusht 2000 është angazhuar si zyrtare e projektit në KPMG USA. Nga korrik 2001 deri shkurt 2004 si këshilltare biznesi në Chemonics International. Zyrtare e privatizimit nga shkurt 2004 – gusht 2005 në Trustin e Kosovës.
Gjithashtu ajo për tri vite ka ligjëruar në fakultetin e Shkencave të Biznesit në Univeristetin e Pejës.