Një operacion i Rrjetit të Policisë Evropiane ka vënë në pranga Bashkim Osmanin dhe vëllezërit e tij.
Siç u raportua nga mediat belge fillimisht, vëllezërit Osmani u kapën në Kroaci, transmeton Gazeta Online “Reporteri.net”
Në operacionin e Eurpolit për kapjen e tyre morën pjesë 600 policë dhe operacioni u shtri në 7 vende evropiane.
Në shënjestër ishte një organizatë e trafikut të kokainës, në të cilën ishin të përfshirë edhe shqiptarët.
Bashkim Osmani, 50-vjeçari nga Kosova konsiderohet si kreu i këtij rrjeti mafioz. Ai raportohet se ka biznese të dyshimta në Gjermani, ku ishte dënuar me gati katër vjet burg së bashku me vëllain e tij në 2008 për një krim ekonomik.
Mediat italiane raportojnë se një nga figurat kryesore të organizatës që drejtohej nga vëllezërit Osmani është edhe Artur Shehu, vlonjati që ndërmjetëson me pronat në bregdetin shqiptar. Emri i Artur Shehut është lakuar për lidhjet me Sekretarin e Përgjithshëm të qeverisë Rama, Ëngjëll Agaçin.
Një përfaqësues i Artur Shehut është arrestuar si pronar i një objekti akomodimi në Viale Montegrappa. Detyra e “mëkëmbësit” të Artur Shehut ishte pastrimi i parave në zonën e Pratos. Bëhet fjalë për shuma të mëdha parash, që vijnë nga trafiku ndërkombëtar i kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë përmes portit të Hamburgut. Klani Osmani zotëron pasuri të paluajtshme me vlerë disa dhjetëra milionëshe në Gjermani shkruajnë mediat italiane, që përmendin shfrytëzimin e prostitucionit. “Të gjitha kazinotë dhe shtëpitë publike në Pragë ishin nën kontrollin e tyre” shkruan IlTirreno.
Vëllezërit Qazim (me nofkën Feliks), Burim, Bekim dhe Bashkim Osmani u mposhtën nga operacioni “Shqiponja e zezë”, i ekzekutuar nga komanda e Karabinierëve të Pratos dhe Departamenti i Hetimeve Anti-Mafia i Firences.
Ky operacion i përbashkët është rezultat i një hetimi ndërkombëtar kompleks që përfshiu Departamentin e Hetimeve Anti-Mafia (Dia) dhe Forcat Policore të Belgjikës, Spanjës, Gjermanisë, Holandës, Kroacisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, në bashkëpunim me Shërbimin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë. dhe përfshiu mbi 600 oficerë policie, duke përfshirë Departamentet Speciale, të koordinuara nga Eurojust dhe Europol.