×
  • Lajme
  • Lajme

    Kush janë pjesëmarrësit dhe cilat janë temat e Samitit të Sofjes, ku po merr pjesë edhe kryeministri Hoti

    Reporteri
    10 Nëntor 2020 | 10:48

    Liderët kryesorë të Bashkimit Evropian mblidhen sot në Sofje të Bullgarisë, së bashku me krerët e shteteve të rajonit të Ballkanit, në të cilin këtë vit nikoqire janë Republika e Bullgarisë dhe Republika e Maqedonisë së Veriut.


    Pjesë e këtij Samiti është edhe Kosova me kryeministrin Avdullah Hoti, njofton Klan Kosova

    Samiti ka nisur virtuarlisht që nga ora 10:00 dhe pjesëmarrës janë vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Serbia, Republika e Maqedonisë së Veriut, Bosna dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova, dhe shtetet e mëposhtme: Gjermania, Austria, Franca, Italia, Kroacia, Sllovenia, Mbretëria e Bashkuar, Polonia, Greqia dhe Bullgaria.

    Kujtojmë se Procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor është një iniciativë e diplomacisë politike e nisur personalisht nga kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel në gusht 2014.

    Ideja prapa Procesit të Berlinit është të plotësojë dhe mbështesë procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    Procesi ndjek tre rrugë kryesore: ekonomia dhe lidhja; pajtimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë; sigurinë. Qëllimi i nismës është të krijojë kushte për të optimizuar bashkëpunimin rajonal me anë të iniciativave dhe projekteve rezultatet e të cilave kanë ndikime reale dhe të dukshme në sigurinë ekonomike dhe stabilitetin dhe për t’i sjellë vendet e Ballkanit Perëndimor më afër rregullave dhe standardeve të BE-së.

    Pjesë e Samitit virtual të Sofjes do të jenë edhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi dhe Komisionerja për Inovacionin, Kërkimin, Kulturën, Arsimin dhe Rininë, Mariya Gabriel, në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme në kuadrin e Procesit të Berlinit.

    Nisma mbledh gjashtë partnerë të Ballkanit Perëndimor, nëntë shtete anëtare të BE-së dhe organizata rajonale.

    Pjesëmarrësit do të diskutojnë se si të përmirësohet bashkëpunimi rajonal me një fokus të veçantë tek të rinjtë dhe shoqëria civile.

    Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Komisioneri Varhelyi do të marrin pjesë në distancë në Samitin e Sofjes që do të bashkë-kryesohet nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut dhe do të sjellë së bashku drejtuesit e pjesëmarrësve të Procesit të Berlinit, për të forcuar më tej bashkëpunimin ekonomik dhe rajonal si një mënyrë që partnerët e Ballkanit Perëndimor të përparojnë në rrugën e tyre evropiane.

    Kujtojmë se në tetor Komisioni paraqiti një Plan Ekonomik dhe të Investimeve të Kërkimit për Ballkanin Perëndimor, duke mobilizuar deri në 9 miliardë euro për të nxitur rimëkëmbjen dhe konvergjencën afatgjatë, për të rritur zhvillimin ekonomik dhe lidhjen në rajon duke përfshirë përmes investimeve në infrastrukturë gjithashtu synojnë adresimin e sfidave mjedisore dhe shëndetësore, dhe në përgjithësi ofrojnë potencial të madh për rritje dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

    “Unë e mirëpres se takimi i sotëm do të përqendrohet në rëndësinë e bashkëpunimit rajonal. Nuk është një alternativë ndaj integrimit në BE por një pjesë themelore e procesit që çon në të”.

    “Gjatë shpërthimit të pandemisë ne pamë se bashkëpunimi rajonal gjithëpërfshirës mund të jetë mjeti më i mirë për të sjellë rajonin më tej, për shembull përmes vendosjes së suksesshme të “korsive të gjelbërta”. Rajoni demonstroi se mund të punojë së bashku. Tani jemi duke eksploruar propozime për të shtrirë korsitë e gjelbërta në kalimet midis rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Shteteve Anëtare të BE, bazuar në shembullin tuaj të suksesshëm brenda rajonit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Varhelyi.

    Varhelyi mes tjerash thotë se 9 miliardë euro mbështetje për rajonin do të miratohen sot.

    “Komisioni Evropian ka miratuar muajin e kaluar Planin Ekonomik dhe të Investimeve, duke mobilizuar 9 miliardë euro mbështetje për rajonin për të rritur zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe për të mbyllur hendekun me BE. Nxitja e bashkëpunimit rajonal është një element qendror i këtij Plani”.

    “Prandaj do të doja të përgëzoja qeveritë e rajonit për planin e tyre ambicioz të veprimit të një Tregu të Përbashkët Rajonal, të cilin udhëheqësit do të miratojnë nesër. Kjo është një punë thelbësore për të rritur atraktivitetin dhe konkurrencën e rajonit dhe për ta sjellë rajonin më afër tregut unik të BE-së”.

    “Një Treg i Përbashkët Rajonal do t’i jepte gjithashtu një nxitje të jashtëzakonshme lidhjes njerëzore. Një nga ambiciet e saj është lëvizja e lirë e njerëzve. Do të lejonte – për shembull – njerëzit të udhëtonin vetëm me letërnjoftimet e tyre, të hiqnin lejet e punës dhe të lehtësonin lëvizjen e studentëve, studiuesve dhe profesorëve”, është shprehur Varhelyi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!