Me orë të tëra thuhet se ka zgjatur mbrëmë një takim ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes në shtëpinë e Isa Mustafës në Prapashticë. Aty, sipas burimeve brenda këtyre dy partive, janë përafruar tejet shumë qendrimet, shkruan Reporteri.
Ky takim i të dy subjekteve, që kanë krizë në mirëbesim e negociata tash e sa ditë, po ndodh vetëm një ditë pasi nga Koosva u largua Richard Grenell, ambasador i SHBA-ve në Gjermani dhe i dërguar special presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi.
Ai takoi të dyja palet dhe tha se nuk i intereson fare për qeverinë dhe politika. Fliste vetëm për ekonomi e vende pune. Por, si duket një presion i madh është mbi të dyja partitë. Kanë mbetur edhe 10 ditë kohë për Albin Kurti që të provojë të formojë qeverinë.
Nga burimet në të dy partitë thuhet se gjasat e mëdha janë që shpejt të ketë marrëveshje dhe se mundësitë reale janë që VV të lëshojë pe. Gjithsesi, ende nuk është asgjë finale, sipas këtyre burimeve, por kurrë më afër nuk kanë qenë.
“Bisedimet kanë qenë shumë më të gjata se ato të kaluarat dhe kanë vazhduar deri pas mesnatës. Nuk besojmë që do të ketë deklarata, pasi ashtu janë pajtuar palët për të qëndruar larg publikut dhe mediave deri në arritjen e marrëveshjes”, ka konfirmuar një burim nga VV-ja.
Sipas këtij burimi, dy partitë mbrëmë kanë diskutuar gjerë e gjatë.
Sipas raportimeve, Albin Kurti ka nisur të reflektojë rreth mundësisë që të dorëhiqet Glauk Konjufca nga posti i Kryetarit të Kuvendit dhe të ofrojë më shumë ministri për LDK-në.
Ndryshe, shtëpia ku mbrëmë Isa Mustafa e priti këmbëkryq Albin Kurtin në Prapashticë, kohë më parë ishte shënjestër e sulmeve fizike të militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje./Reporteri.net