Gjykata Kushtetuese i ka dhënë dritën e gjelbër Ligjit për Zyrtarët Publikë, meqë ka gjetur se nenet e kontestuara nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën, shkruan Reporteri.net.
Në njoftimin e Kushtetutes thuhet se është vendosur që Ligji t’i dërgohet Presidentes Vjosa Osmani për shpallje.
“Gjykata njëzëri (i) ka vendosur që të deklarojë kërkesat e pranueshme; (ii) të konstatojë që paragrafët 3, 4 dhe 5 të nenit 18 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, nuk janë në kundërshtim me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; si dhe (iii) të konstatojë që paragrafët 3, 4 dhe 5 të nenit 18 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, nuk janë në kundërshtim me nenet: 3 [Barazia para Ligjit], 7 [Vlerat], 24 [Barazia para Ligjit], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Bazuar në konstatimet e mësipërme, Gjykata gjithashtu vendosi që (i) Ligji i kontestuar i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje; dhe (ii) të përcaktojë që Aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ky ligj ishte dërguar në Kushtetuese nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Më 23 janar 2024, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte shpallur të pavlefshme disa nene të këtij ligji. Me aktgjykimin e Kushtetueses, Kuvendi obligohej që brenda 6 muajve t’i bënte ndryshimet e nevojshme në këtë ligj. Deputetët kishin miratuar ndryshimet në Ligjin për zyrtarët publikë gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës më 30 tetor 2024./Reporteri.net