Gjykata Kushtetuese, të mërkurën ka publikuar aktgjykimin e plotë, me të cilin është rrëzuar Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), vitin e kaluar.
Gjykata Kushtetuese, pas vlerësimit të Ligjit bazuar në kërkesat e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, theksoi se disa nene të këtij ligji janë vlerësuar në mospërputhje me Kushtetutën e Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas vendimit të Kushtetueses, ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e nenin për Këshillin Prokurorial.
Pas konstatimeve për mospërputhshmëri me Kushtetutën, Gjykata Kushtetuese e ka shpallë të pavlefshëm në tërësinë e tij, Ligjin nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Në vendimin e Kushtetueses, thuhet se kërkesa KO111/22 është dorëzuar nga Abelard Tahiri, Elmi Reçica, Ganimete Musliu, Enver Hoxhaj, Ferat Shala, Blerta Deliu-Kodra, Bekim Haxhiu, Floretë Zejnullahu, Isak Shabani, Rashit Qalaj dhe Hajdar Beqa, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët i përfaqëson avokati Faton Fetahu.
Kurse, kërkesa KO101/22 është dorëzuar nga Arben Gashi, Armend Zemaj, Avdullah Hoti, Agim Veliu, Rrezarta Krasniqi, Besian Mustafa, Hykmete Bajrami, Vlora Dumoshi, Valentina Bunjaku, Anton Quni dhe Marigona Geci, po ashtu deputetë të Kuvendit, të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët i përfaqëson deputeti Armend Zemaj.
Aty thuhet se parashtruesit e kërkesës, në rastin KO100/22, e kanë kontetuar kushtetutshmërinë e neneve 13, 16, 18 dhe 20 të Ligjit nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, miratuar me vendimin e Kuvendit [nr.08-V-309] të 23 qershorit 2022.
Ndërsa, parashtruesit e kërkesës në rastin KO101/22, e kanë kontetuar kushtetutshmërinë e Ligjit të Kontestuar në tërësinë e tij.
Objekt i çështjes së kërkesave është vlerësimi i kushtetutshmërisë së dispozitave të Ligjit të kontestuar, për të cilat parashtruesit e kërkesave pretendojnë se nuk janë në përputhshmëri me nenet: 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], 16 [Epërsia e Kushtetutës], 24 [Barazia para Ligjit], 32 [E Drejta për Mjete Efektive], 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], 109 [Prokurori i Shtetit] dhe 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Përveç kësaj, parashtruesit e kërkesave kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme, për të pezulluar ex lege hyrjen në fuqi dhe zbatimin e Ligjit të kontestuar, deri në vendosjen përfundimtare për kërkesat nga Gjykata.
Kërkesat janë bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] dhe paragrafin 2 të nenit 116 [Efekti i Vendimeve] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës), 27 (Masat e përkohshme), 42 (Saktësimi i kërkesës) dhe 43 (Afatet) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe rregullat 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) dhe 74 (Kërkesa në pajtim me nenin 113.5 të Kushtetutës dhe neneve 42 dhe 43 të Ligjit) të Rregullores së punës së Gjykatës, nr.01/2018 (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
“Parashtruesit e kësaj kërkese pretendojnë se nenet 13, 16, 18 dhe 20 të Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me nenet: 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], 24 [Barazia para Ligjit], 32 [E Drejta për Mjete Efektive], 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], 109 [Prokurori i Shtetit] dhe 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës”, thuhej në vendim.
Ndryshe, Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën plenare të mbajtur me 23 qershor 2022 , kishte miratutar në lexim të dytë, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Ndërsa, më 1 korrik 2022, dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Këshillin Prokurorial, duke kërkuar nga kjo e fundit interpretimin e ligjshmërinë së këtij ligji.
Edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, është deklaruar kundër këtij ligji pasi sipas tyre, e cenon rëndë pavarësinë e këtij organi kushtetues.