Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave, i miratuar në korrik të vitit të kaluar, të shfuqizohet, shkruan Reporteri.net.
Në njoftimin e Kushtetueses thuhet se disa paragrafe të neneve të këtij ligji janë në kundërshtim me Kushtetutën.
Gjykata, njëzëri ka vendosur (i) të deklarojë kërkesat të pranueshme; si dhe (ii) të konstatojë se, nën-paragrafët 1.2 dhe 1.3 të paragrafit 1 të nenit 15 (Zgjedhja e anëtarëve të KPM) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me nenin 141 [Komisioni i Pavarur i Medieve] të Kushtetutës; (iii) të konstatojë se, nën-paragrafët 3.4 dhe 3.5 të paragrafit 3 të nenit 18 (Shkarkimi i Kryetarit dhe anëtarit të KPM-së) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 141 [Komisioni i Pavarur i Medieve] të Kushtetutës; (iv) të konstatojë se, nën-paragrafët 2.4 dhe 2.5 të paragrafit 2 të nenit 4 (Kompetencat e KPM-së), paragrafi 5 i nenit 25 (Leja e transmetimit dhe ripërtëritja e tyre) dhe paragrafi 2 i nenit 43 (Rregullimi i pronësisë së të licencuarave/regjistruarave) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (v) të konstatojë se, pika 1.2.1 dhe pika 1.2.24, e nën-paragrafit 1.2 të paragrafit 1 dhe pikat 1.3.5 dhe 1.3.6 të nën-paragrafit 1.3 të paragrafit 1 të nenit 60 (Sanksionet me gjobë) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (vi) të konstatojë se Ligji i kontestuar, shfuqizohet; si dhe (vii) të refuzojë kërkesat për masë të përkohshme”, thuhet në njoftim.
Ky Ligj ishte dorëzuar në Kushtetuese nga PDK dhe LDK.
“Lidhur me këtë, Aktgjykimi thekson se i takon Qeverisë dhe/ose Kuvendit që gjatë rishqyrtimit të Ligjit të kontestuar të shqyrtojë tutje çështjet e ngritura përkitazi me përkufizimet/definicionet, si dhe obligimet që
parashihen nga Marrëveshja për Stabilizim Asociim sa i përket legjislacionit të Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst, Aktgjykimi që do të publikohet vë theksin në nevojën për
gjithëpërfshirje dhe mundësinë për konsultime përmbajtjesore gjatë rishqyrtimit të Ligjit të kontestuar, duke pasur parasysh ndikimin që i njëjti ka në funksionimin e mediave në Republikën e Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.
Ky Ligj parashihte licencimin dhe kontrollimin e mediave online që prodhojnë video prej KPM-së, më herët në këtë organ kanë qenë të obliguara që të regjistrohen vetëm mediat audio-vizuale.
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) – i themeluar në vitin 2005 – është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.
Sipas këtij projektligji, mediat që funksionojnë si organizata joqeveritare do të duhen të hapin kompani që t’i plotësojnë kushtet e licencimit nga KPM-ja.
Po ashtu, mediat duhet të marrin leje prej KPM-së në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10 për qind.
Sipas tij, mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me vlerë në deri 40.000 euro për shkeljet eventuale siç janë: mosrespektimi i ligjit, mosdorëzimi i raportit vjetor te KPM-ja brenda afatit, mosruajtja e arkivit të transmetimeve, mosrespektimi i kohës së përcaktuar për transmetim, si dhe për disa raste të tjera.
Përveç përfshirjes së mediave online që prodhojnë video nën monitorimin e KPM-së, ligji parashihte edhe rritjen e numrit të anëtarëve të KPM-së nga shtatë në 11 dhe zgjatjen e mandatit të tyre./Reporteri.net