×
  • Lajme
  • Lajme / Kërkesë e PDK-së dhe LDK-së

    Kushtetuesja vendos, rrëzon disa nene të Ligjit për këshillin e pavarur mbikëqyrës për shërbimin civil

    Reporteri
    27 Qershor 2024 | 16:07

    Gjykata Kushtetuese të enjten ka rrëzuar nenet 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11 të Ligjit për këshillin e pavarur mbikëqyrës për shërbimin civil, i cili u dërgua për shqyrtim nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, transmeton Reporteri.net.

    “Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka vendosur lidhur me kërkesat e bashkuara në rastet (i) KO232/23, me parashtrues: Abelard Tahiri dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë; dhe (ii) KO233/23, me parashtrues: Besian Mustafa dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të dorëzuara në Gjykatë bazuar në autorizimet e përcaktuara në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-180 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës”, thuhet në reagimin e Kushtetueses.

    Sipas vendimit, Kushtetuesja ka konstatuar se nenet 2, 7 dhe 8 të këtij Ligji nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenit 32 [E Drejta për Mjete Juridike] “në ndërlidhje me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës]”.

    Neni 6 i Ligjit të kontestuar, sipas Kushtetueses, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil].

    “Nenet 9, 10 dhe 11 nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës”, thuhet në njoftim.

    Kushtetuesja ia ka dërguar presidentes Vjosa Osmani ligjin për dekretim “sipas modaliteteve të përcaktuara në aktgjykimin e Gjykatës dhe pa nenet 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11 të Ligjit të kontestuar”.

    Ligji për këshillin e pavarur mbikëqyrës për shërbimin civil ishte miratuar në Kuvend gjatë vitit 2023.

    Më herët gjatë ditës, Kushtetuesja i dha të drejtë Qeverisë për Ligjin për investime të qëndrueshme, pas shqyrtimit të kërkesës së deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës për vlerësim.

    Kushtetuesja nuk i jep të drejtë PDK-së për Ligjin për Investime të Qëndrueshme

    Të mërkurën, Kushtetuesja s’gjeti shkelje as në Ligjin për pagën minimale.

    Ligji për pagën minimale, Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Qeverisë

    Megjithatë, të mërkurën e rrëzoi Ligjin për Byronë e konfiskimit të pasurisë.

    Kushtetuesja i jep të drejtë PDK-së, rrëzon Ligjin për Byronë Shtetërore për pasurinë e pajustifikueshme

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!