Kuvendi i Serbisë, në një seancë të jashtëzakonshme që pritet të mbahet më 27 maj, mund të refuzojë ose të shfuqizojë të gjitha aktet e miratuara kohët e fundit nga parlamenti i Kosovës, siç është rezoluta mbi gjenocidin serb mbi shqiptarët gjatë luftës së fundit.
Ky dokument mund të pasojë raportin e Presidentit Aleksandër Vuçiq për negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe mbi shtetin e Kosovës, shkruan gazeta serbe Novosti, transmeton Reporteri.net.
Ky është një nga opsionet që po konsiderohet si i mundshëm në seancën e paralajmëruar për 27 maj, në të cilën përpos presidentit serb Aleksandar Vuçiq është e ftuar edhe kryeministrja Ana Brnabiq, si dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Të martën, kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën, Milovan Drecun, përmendi mundësinë e mbajtjes së një seance të jashtëzakonshme në të cilën do të hidhej poshtë rezoluta e Prishtinës për gjenocidin serb në Kosovë.
Ndryshe, shumica e opozitës serbe që po bojkotojnë seancat plenare, kanë thënë se nuk do të kthehen në ulëset e parlamentit as në seancën për Kosovën.
Me 79 vota për dhe pa praninë e deputetëve serbë, Kuvendi i Kosovës javën e kaluar miratoi “rezolutën për gjenocidin serb të kryer në Kosovë”. Kjo i hap rrugën procedurave për krijimin e një Tribunali për krimet serbe në Kosovë./Reporteri.net.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.