×
  • Lajme
  • Lajme / Dosja

    Kuvendi shpall tender në vlerë 40 mijë euro për furnizim me tepisona e perde, i dështoi vjet pesë herë

    Reporteri
    06 Gusht 2024 | 19:27

    Kuvendi i Kosovës ka shpallur tender në vlerë prej 40 mijë euro për furnizim me tepisona dhe perde. Tenderi është i ndarë në dy Lote, ku në Lotin 1 parashihet furnizimi me tepisona, e në Lotin 2 furnizimi me perde, shkruan Reporteri.net.

    Në dosjen e tenderit janë dhënë specifikat që duhet t’i kenë këto produkte. Me Lotin 1 parashihet furnizimi me katër tepih për pastrimin e këpucëve, një tepih për Kabinet dhe një tepih për sallën plenare dhe pjesët përcjellëse.

    Madje, furnizimin me ta, Kuvendi duket se e ka kogja për ngut, meqë ky aktivitet i prokurrimit ka dështuar pesë herë gjatë vitit të kaluar. Tepisonët duhet të montohen jo më larg se në fund të këtij muaji, përkatësisht para fillimit të sesionit vjeshtor.

    “Autoriteti Kontraktues planifikon të furnziohet sa më shpejtë që është e mundur me tepisona, në mënyrë që instalimi i pajisjeve në Sallë Plenare dhe furnizimi e montimi i tepisonëve të bëhen (në të njëjtën kohë) jo me larg se në fund të muajit gusht 2024, pasi që më 9 shtator, fillon Sesioni Vjeshtor i Kuvendit. Duke pasur parasysh se është i ngutshëm realizimi I këtij aktiviteti të prokurimit, kërkojmë Autorizim për shkurtimin e afateve normale kohore nga 20 ditë në 10 ditë, në pajtim me LPP Neni 46 dhe në pajtim me Udhëzuesin nr. 001 2023 për Prokurim Publik, Neni 6.2 – Afatet e përshpejtuara kohore”, theksohet në dosje.

    Aty shpjegohen edhe arsyet e dështimit të këtij tenderi disa herë.

    “Kuvendi i Republikës së Kosovës, aktivitetin e prokurimit për Furnzim me tepisona dhe perde në vitin 2023 e ka zhvilluar 5 (pesë) herë, por procedura ka rezultuar pa sukses në mungesë të ofertave ose në mungesë të ofertave të përgjegjshme. Në vitin 2024, Autoriteti Kontraktues sërish ka vazhduar me procedurën e tillë dhe aktiviteti i prokurimit ka rezultuar pa sukses, në mungesë të operatorëve ekonomikë pjesëmarrës. Autoriteti Kontraktues, pas anulimit të parë këtë vit, e ka shqyrtuar procedurën dhe aktivitetin e prokurimit e ka ndarë në dy LOT-e, me qëllim të rrtijes së konkurrencës për operatorët ekonomikë të kësaj fushe. Herën e dytë procedura është anuluar, për shkak të gabimeve teknike në procedurë (sistemi E Prokurimi).Herën e tretë, në tender kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë, por procedura është anuluar më 01.08.2024, sepse ofertat e tyre kanë qenë të papërgjegjshme”, tregohet në dosje.

    Ndërkohë, në Lotin 2 parashihet furnizimi me perde të tejdukshme, perde të errëta, rollo perde zebër për salla dhe kabinete, rollo perde, garnishte për holle, garnishte për zyre dhe garnishte për salla.

    “Kompanitë e interesuara për të kryer këto furnizime kanë afat të dorëzojnë ofertat deri më 20 gusht. Vizitë sqaruese para dorëzimit të tenderit .Një vizitë para dorëzimit të tenderit do të mbahet më datën 13.08.2024 në orën 14 00 në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Vizita nuk është e detyrueshme, por është e rëndësishme për informim më detal rreth furnizimeve cilat janë objekt I kontratës. Qëllimi i Autoritetit Kontraktues është që me këtë rast t’u sqarojë operatorëve ekonomikë çështje të ndryshme të cilat kanë të bëjnë me realizimin e këtij furnizimi. Gjatë kësaj vizite, Kuvendi i Republikës së Kosovës (Autoriteti Kontraktues) do të mbajë procesverbal me shkrim”, thuhet në dosje.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!