Kuvendi i Kosovës ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për të hënën në ora 17:00.
Pika e vetme e rendit të ditës është çështja e presidentit.
Afati për zgjedhjen e presidentit, sipas Aktgjykimit të Kushtetueses, skadon më 28 prill. Nëse nuk zgjidhet presidenti, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja.
Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.
Lëvizja Vetëvendosje të shtunën pas mbledhjes së kryesisë së partisë, doli me një propozim të ri, duke ftuar PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e dhjetë.
Përderisa Partia Demokratike e Kosovës refuzoi të propozonte emra, Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku po të shtunën përmendi mundësinë e përfshirjes së emrit të Vjosa Osmanit në diskutime.
“LDK mund të propozojë edhe emra, s’kemi nevojë me i propozu tre, e propozojmë një. Mundet me qenë edhe Vjosa Osmani, por le të na tregon ai a i ka 66 vota për këtë president, por njehërë duhet të vendosë a dëshiron marrëveshje”, kishte shkruar Abdixhiku në Facebook.
/Reporteri.net/