Deputeti dhe anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Shkëmb Manaj, ka bërë të ditur se dje ka votuar kundër shkarkimit të Vjosa Osmanit nga pozitat drejtuese në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Manaj për Gazetën Online “Reporteri.net” ka theksuar se i mbështetë vendimet e organeve të LDK-së si përfaqësues i saj dhe vlerëson se edhe përfaqësuesit e tjerë duhet të veprojnë kështu.
Tutje ai ka thënë se edhe pse nuk është pajtuar me qasjen e Osmanit në kohët e fundit, prapë se prap konsideron se në këtë faze duhet t’i jepet mundësi debatit dhe demokracisë së brendshme në mënyrë që LDK të jetë unike dhe e fortë, edhe përkundër dallimeve brenda partisë.
“Kjo është demokracia dhe vlera e Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila duhet të kultivohet përherë.”, ka thënë Manaj për Reporterin.
Ai po ashtu ka thënë që nga tash duhet të punojnë që LDK t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme sepse sipas tij çdo ditë e më shumë po vërtetohet se Kosova është e sigurtë vetëm kur LDK udhëheqë me institucionet e saj. /Reporteri.net/