Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pret që si Kosova poashtu dhe Sebia të fillojnë zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Kosova të ecë para me themelimin e Asociacionit dhe Serbia paralelisht të përmbushë pjesët thelbësore të obligimeve të saj, përcjell Reporteri.net.
Emisari evropian ka bërë të ditur se në mes të dhjetorit ka zhvilluar bisedime me të dyja palët me të cilët ka diskutuar për një sërë çështjes, derisa pret që në fillim të 2024 të arrihet përparim në zbatim të marrëveshjes për normalizim dhe palët të tregojnë vullnetin e nevojshëm politik.
“Diskutimet për hapat dhe veprimet është duke vazhduar dhe ne presim që palët të arrijnë një marrëveshje së shpejti në mënyrë që më në fund të fillojë zbatimi. Është e qartë, megjithatë, se derisa Kosova më në fund pritet të ecë përpara me themelimin e Asociacionit, Serbia pritet të përmbushë paralelisht pjesët thelbësore të obligimeve të saj sipas marrëveshjes. Ky proces duhet të jetë transparent dhe i drejtë”, tha Lajçak për mediumin serb “Politika“.
“Në mesin e dhjetorit kam zhvilluar bisedime shtesë me të dyja palët për një sërë çështjesh, duke përfshirë zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e saj, si dhe pyetje shtesë për sqarimin e draft-statutit evropian për krijimin e Asociacionit. Ne diskutuam gjithashtu një sërë çështjesh specifike në dialog, duke përfshirë personat e zhdukur, energjinë dhe targat. Ka pasur disa përparime në këto çështje. Bisedimet po vazhdojnë dhe pres që në fillim të vitit 2024 të arrijmë përparim në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, me kusht që të dyja palët të tregojnë vullnetin e nevojshëm politik, guximin dhe lidershipin për ta bërë këtë” – thotë Lajçak.
Lidhur me situatën në veri, Lajçak ka theksuar se nuk mund të ketë as përshkallëzim e tensione e progres në dialog në të njëjtën kohë derisa shton se BE do të vazhdojë të monitorojë situatën atje.
Emisari evropian thotë se qytetarët në veri, pavarësisht nga cili komunitet, gëzojnë të mirat e sundimit të ligjit e që sipas tij shumë nga këto çështje do të kanalizoheshin përmes Asociacionit, derisa vlerëson si urgjente themelimin e tij.
Presim që të dyja palët të veprojnë në frymën e dialogut dhe pajtimit me retorikën dhe veprimet e tyre. Situata në veri të Kosovës është e ndjeshme/e brishtë dhe siç e kam thënë shumë herë, nuk mund të kemi as përshkallëzim, as tensione dhe progres në normalizimin e marrëdhënieve njëkohësisht. BE-ja do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën për të siguruar që proceset ligjore dhe sundimi i ligjit respektohen plotësisht. Të gjithë pajtohen se qytetarët e veriut të Kosovës, pavarësisht nëse janë nga komuniteti shumicë apo joshumicë, duhet të gëzojnë të mirat e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë. Shumë nga këto çështje do të kanalizoheshin dhe menaxhoheshin përmes Asociacionit. Kjo është një arsye tjetër pse është urgjente që Asociacionit të krijohet pa vonesë. Më duhet gjithashtu të përsëris edhe një herë se dialogu nuk mund të anashkalohet sepse është e vetmja platformë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura dhe burimeve potenciale të fërkimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo konfirmohet nga të gjitha deklaratat e fundit zyrtare të Bashkimit Evropian dhe konkluzionet e Këshillit Evropian” tha Lajçak.
“Presim që zgjedhjet e reja lokale në veri të Kosovës të shpallen pa vonesa të mëtejshme dhe është e rëndësishme që procesi drejt mbajtjes së zgjedhjeve të reja për kryetarë komunash në katër komuna më në fund filloi me themelimin e grupeve iniciative të serbëve të Kosovës në fillim të dhjetorit. Rithemelimi i pushteteve lokale plotësisht përfaqësuese në veri të Kosovës është i nevojshëm për deeskalimin e situatës në terren dhe për procesin më të gjerë të normalizimit, si dhe është i nevojshëm për vazhdimin e krijimit të shoqatë/bashkësi. Më vjen keq që regjistrimi i grupeve iniciative fillimisht u përball me pengesa të papritura administrative, por që atëherë kam marrë garanci nga Kosova se këto probleme do të zgjidhen së shpejti në mënyrë që mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit të komunës të fillojë menjëherë”./Reporteri.net/