×
  • Lajme
  • Lajme / Dialogu

    Lajçak: Kërkesa për formalizimin e marrëveshjes përmes nënshkrimit s’është çështje relevante, zbatimi i saj është çështja kyçe

    Reporteri
    29 Qershor 2024 | 16:59

    Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak,  theksoi se formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit të të dyja palëve nuk është çështje relevante sepse marrëveshja është ligjërisht e obligueshme, dhe të dyja palët janë pajtuar për këtë fakt.

    Por, Lajçak tha se ajo që është relevante është zbatimi i marrëveshjes, çka tha se nuk po ndodh. Emisari evropian  në një panel diskutimi në kuadër të Forumit të Dubrovnikut tha se marrëveshja e arritur në Ohër është rruga për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

    “Marrëveshja që kemi arritur në Shkurt dhe Mars të vitit të kaluar në Bruksel dhe Ohër është ligjërisht e obligueshme dhe në tërësi dhe kjo u është bërë e ditur palëve dhe janë pajtuar me të. Pjesë të kësaj marrëveshje janë bërë pjesë të kapitullit 35 që i bie se është pjesë formale e marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe BE-së. Mendoj që po shpenzojmë shumë kohë duke diskutuar për diçka që është jo aq relevante. Relevante është që ne kemi bërë shumë pak progres në zbatimin e marrëveshjes. Ky është problemi kryesor. Serbia dhe Kosova duhet të normalizojnë marrëdhëniet, në të kundërtën nuk do të kenë progres në rrugën e tyre evropiane. Dhe marrëveshja e arritur në Ohër është rruga për normalizim”, tha Lajçak.

    I pyetur nga drejtuesi i këtij diskutimi, gazetari i FAZ Michael Martens, nëse aktualisht është duke ndërmjetësuar dialogun derisa BE-ja s’ka asgjë për t’iu ofruar në këmbim dy vendeve, Lajcak tha  se tashmë loja ka ndryshuar dhe se BE-ja është serioze sa i përket anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor.

    “Do të pajtohesha me ju nëse do të ma bëje këtë pyetje para dy vitesh, por jemi në një lojë tjetër tani dhe ministri Kovakoviq e tha dhe ka plotësisht të drejtë. Është një momentum i ri,  erdhi vonë, por është këtu. BE-ja është serioze sa i përket anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor. BE po merr hapa konkretë, Plani i Rritjes është një nga ta, narrativa zyrtare për anëtarësim gradual është tjetër, plani i reformave për secilin partner në Ballkan Perëndimor. BE po bëhet gati për të pranuar anëtarë të rinj nga Ballkani Perëndimor, që s’ka qenë rasti pesë vjet më parë. Por natyrisht,  kjo dritare e mundësisë s’do të jetë e hapur përgjithmonë. Kemi motivim më të madh për partnerët tonë që ta shfrytëzojnë këtë dritare sot. Perspektiva e qartë evropiane është prej levave që BE ka. S’ishte këtu, por është këtu tani”, ka thënë Miroslav Lajcak. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!