Zyra e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit ka publikuar letrën që i pari i Qeverisë ia ka dërguar të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçakut.
Përmes kësaj letre Kurti i ka treguar Lajçakut se ai do të jetë kryenegociator, kurse presidenti Hashim Thaçi veç anëtar.
Ndërkohë, Lajçaku i ka kthyer Kurtit letrën ku ka theksuar pëlqimin për ta takuar personalisht kryeministrin në detyrë, por jo tani, por në një kohë të përshtatshme, shkruan Reporteri.net.
Lajçak i thotë Kurtit se heqja e tarifës, është shenjë e vullnetit nga ana e tij për të rinisur dialogu Kosovë-Serbi nga BE.
Letra e Lajçakut dërguar Kurtit:
Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës
Letra e plotë e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun dhe Çështje të tjera Rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak
I nderuar Kryeministër Kurti,
Falemnderit për letrën e dërguar më datë 03.04.2020, duke më uruar për marrjen e detyrave si Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.
Jam shumë i inkurajuar pasi lexova në letrën tuaj që Kosova është e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve dhe procesin e Dialogut, dhe është e gatshme të punojë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese.
Emërimi im jep sinjale të një rikthimi të angazhimit të BE-së në dialog. Synimi im është të punoj pareshtur dhe në mënyrë dinamike për të ecur para në procesin e dialogut, dhe pres që edhe Prishtina dhe Beogradi t’i rikthehen angazhimit të tyre me të njëjtën vendosmëri. Siç e keni theksuar edhe ju, kjo gjë është e rëndësishme për të mirën e të dy popujve. Jam i bindur që nëse ka vullnet të sinqertë politik nga të dy palët, dhe me anë të dialogut, do jemi në gjendje t’i arrijmë rezultatet të cilat secili nga ne i synon, për të mirën e popullit në Kosovë dhe Serbi. Unë, vendimin tuaj për heqjen e tarifës, e shoh si shenjën e parë konkrete të vullnetit tuaj për të rinisur Dialogun e Lehtësuar nga BE.
Këto ditë janë të vështira për të gjithë ne në Evropë, pasi që po përballemi me sfida të pa-përjetuara më herët, në shëndetin tonë publik, shoqëri dhe ekonomi. Dëshiroj t’ju përgëzoj juve, dhe administratën tuaj, për përpjekjet tuaja në luftën kundër pandemisë së koronavirusit deri më tani. Gjithashtu dëshiroj t’ju siguroj se BE-ja qëndron përkrah Kosovës dhe njerëzve të saj në luftën kundër kësaj pandemie. Ndihma jonë e menjëhershme financiare prej 5 milion Euro për t’i përmbushur nevojat më urgjente në luftimin e koronavirusit, është vetëm fillimi i mbështetjes sonë për Kosovën. Në këtë aspekt, e shpreh me kënaqësi që marrëveshjet e kaluara të dialogut, kanë rezultuar të dobishme për t’ju ndihmuar në trajtimin e krizës së koronavirusit.
Bashkëpunimi rajonal në këto periudha sfiduese, veçanërisht kur bëhet fjalë për lëvizjen e papenguar të mallrave, është thelbësor për të mbajtur në kontroll pandeminë. Gjithashtu në këtë kontekst, unë do të doja të përsëris mirëpritjen e BE-së për vendimin për heqjen e tarifave për importet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.
Kam kënaqësinë të vërej besimin tuaj të vendosur në idealet e Bashkimit Evropian, rëndësinë e tyre dhe përkatësinë e tyre për Kosovën. Më lejoni t’ju siguroj se për Bashkimin Evropian dhe vendet e saj anëtare është me rëndësi shumë të lartë të ndihmojmë fqinjët tanë të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre evropiane. Kosova ndan perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe unë besoj se me punën tonë në dialog dhe progresin në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve, ne do të mundësojmë progres të mëtutjeshëm në rrugën tuaj evropiane.
Duke pasur parasysh rrethanat e virusit COVID-19, do të më duhet të rregulloj planet e mia për fillimin e punës sime; Do të më pëlqente të të takoja personalisht në ditët në vijim dhe të shkëmbejmë mendime për rrugën përpara. Kjo nuk do të jetë e mundur në të ardhmen e afërt; megjithatë, kjo situatë nuk do të më ndalojë të angazhohem.
Unë do ju kontaktoj ju dhe udhëheqjen politike në Kosovë, në mënyrë që të fillojmë atë që shpresoj se do të jetë një shkëmbim dhe bashkëpunim i mirë dhe i frytshëm midis nesh. Në ndërkohë do t’ju inkurajoja të përdorni këtë periudhë të kufizimeve të koronavirusit në mënyrë që të vazhdoni të reflektoni dhe përgatiteni për rifillimin e procesit.
Sinqerisht i juaji,
Miroslav Lajcak