×
  • Lajme
  • Lajme / Vizita në Prishtinë

    Lajçak: Me Bislimin diskutuam zbatimin e marrëveshjeve dhe çështjen e dinarit, në ditët në vijim takim në nivel kryenegociatorësh në Bruksel

    Reporteri
    05 Mars 2024 | 11:45

    Ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak ka thënë detaje për takimin që kishte sot me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

    Lajçak ka thënë se me Bislimin kanë diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe po ashtu për Rregulloren e re të BQK-së për pagesat me para të gatshme.

    Emisari evropian tha do të thërrasë edhe një takim në Bruksel që do të jetë në nivel kryenegociatosësh, për për çka tha se ndërlidhet edhe vizita e tij në Kosovë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Kemi diskutuar për normalizimin e marrëdhënieve. Dokumenti për normalizim, i cili është bërë një vit që kur e kemi adoptuar dhe duam të shohim përparim në këtë drejtim. Kjo është një nga çështjet për të cilën kemi diskutuar. Dhe çështja e dytë që është po ashtu e rëndësishme dhe për të cilën diskutuam është rregullorja e BQK-së për pagesat me para të gatshme.

    Diskutuam edhe për çështjen e pagesave lidhur me aspektin monetar dhe që është pjesë relevante e procesit të dialogut. Për këtë çështje kemi pasur një takim edhe në Bruksel. Takimi në Burksel ishte konstruktiv dhe kemi pasur disa pyetje  në të cilat jemi përgjigjur dhe kemi diskutuar por ka pasur edhe çështje që kanë tejkaluar kompetencat e delegacioneve në Bruksel dhe diskutuam këto çështje me Bislimin. Diskutimet do të vazhdojnë dhe kam në plan të realizojmë edhe një takim në Bruksel në nivel kryenegociatorësh. Kjo ishte edhe arsyeja pse erdha këtu.

    Do të thosha se duhet analizuar disa përgjigje në lidhje me këtë çështje, por ky është një proces dhe duhet të jemi të sigurtë që në fund qytetarët, njerëzit të mos ndikohen nga një vendim i tillë. Në lidhje me këtë takim, i kam lënë të hapura mundësitë që të prezantojnë çështjet për të diskutuar, delegacionet që të vijnë dhe të diskutojnë dhe për mua kjo nuk është problem.

    Ua kam lënë vendeve vet të vendosin se kë do të dërgojnë për të negociuar. Takimet e ardhshme janë në nivel të kryenegociatorëve”, tha Lajçak para gazetarëve.

    Ai foli edhe për zbatimin e Marrëveshjes Bazike, teksa tha se është në interes të të dyja palëve që të ketë progres në këtë drejtim. Lajçak tha se Marrëveshja Bazë është marrëveshja më e mirë që mund të arrihej.

    “Kemi diskutuar një listë të gjatë të çështjeve dhe më e rëndësishmja është zbatimi i marrëveshjes bazike, është në intere s të gjithëve të kemi progres në këtë drejtim. Kjo marrëveshje është marrëveshja më e mirë që kemi mundur të arrijmë. Nëse do të kishim një marrëveshje më të mirë do ta kishim bërë, prandaj është në interesin e secilit sepse në këtë marrëveshje i kemi të gjitha përgjigjet se çfarë të bëjmë dhe si të bëjmë dhe çështja është se kur do të ndodhë zbatimi. Kemi shpenzuar shumë kohë për të ndërmarrë hapat dhe ka një frikë te të dy palët se çfarë do të bëjë unë dhe çfarë do të bëjë pala tjetër. Besoj që këto çështje mund shumë thjeshtë të zgjidhen”, tha Lajçak në Prishtinë. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!