I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka qëndruar për vizitë në Paris të Francës, për t’u përgatitur për çka do të pasojë në muajt në vijim, përcjell Reporteri.net.
Diplomati evropian gjatë kësaj vizite është takuar me këshilltarin diplomatik të presidentit të Francës, Emmanuel Bonnen dhe Laurence Boone, e cila është Sekretare e Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Francës.
Lajçaku, me anë të një postimi në platformën X, theksoi se është mirënjohës për mbështetjen që ka dhënë Franca në dialog dhe në punën e tij.
“Sapo përfundova vizitën time të parë të vitit 2024, e cila më çoi në Paris. Pata shumë takime të dobishme dhe të rëndësishme në Quai d’Orsay dhe Elysee për t’u përgatitur për muajt në vijim. Mirënjohës për mbështetjen e fortë të Francës për dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe punën time”, shkroi Lajçak.
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak së fundmi tha se pret që si Kosova poashtu dhe Sebia të fillojnë zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Kosova të ecë para me themelimin e Asociacionit dhe Serbia paralelisht të përmbushë pjesët thelbësore të obligimeve të saj.
Emisari evropian ka bërë të ditur se në mes të dhjetorit ka zhvilluar bisedime me të dyja palët me të cilët ka diskutuar për një sërë çështjes, derisa pret që në fillim të 2024 të arrihet përparim në zbatim të marrëveshjes për normalizim dhe palët të tregojnë vullnetin e nevojshëm politik./Reporteri.net
Lajçak: Është urgjente që të themelohet Asociacioni, zgjedhjet në veri të shpallen pa vonesa