Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ka zhvilluar sot një takim me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Pas takimit ai ka thënë se nuk e di ende nëse do të jetë pjesë e takimit që pritet të mbahet më 27 qershor në Washington ku do të dialogojnë pala kosovare me atë serbe, shkruan Reporteri.net.
“Nuk e di, nuk e di sot. Por çka di është që BE ka punuar shumë ngushtë me SHBA. Gjithçka që është arritur në dialog, ka qenë si rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë BE-SHBA.”, ka thënë Lajçak në një konferencë për medie pas takimit me presidentin Thaçi.
Përfaqësuesi special i BE-së ka thënë se shpreson që procesi i nisur në 2011 të çojë në një fund të suksesshëm.
Ai po ashtu ka është shprehur se dëshiron që dialogu mes Kosovës e Serbisë të vazhdojë sa më shpejt në Bruksel.
Lajçak ka thënë se ambicia e BE-së është që të vazhdojnë rrugën e njëjtë të koordinimit me SHBA-të.
Gjatë ditës së sotme, Lajçak pritet të takohet edhe kryeministrin, Avdullah Hoti dhe kryeparlamentaren, Vjosa Osmani. /Reporteri.net/