×
  • Lajme
  • Lajme

    Lajçak para takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel: Propozimi evropian është “merre ose lëre”, s’ka vend për negociata

    Reporteri
    23 Shkurt 2023 | 20:38
    Takimi i kryeministrit Albin Kurti me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak / Foto ilustruese nga Arkiva

    I dërguari special i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka folur për pritshmëritë e tij para takimit mes dy liderëve, Kurtit dhe Vuçiqit, më 27 shkurt në Bruksel.

    Ai tha se në këtë takim do të diskutohet për propozimin evropian, duke shtuar se nuk do të ketë vend për negociata, por plani ose do të pranohet ose jo si i tillë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Plani në vetvete nuk do të negociohet, vetë plani është I hartuar nga Bashkimi Evropian. Palët janë konsultuar pasi drafti i parë është ndarë me ta dhe ne nuk shohim arsye, as gjasa për negociata. Ne besojmë vërtetë se është plani që trajton çështjen, që respekton vijat e kuqe të të gjitha palëve dhe ofron maksimumin e arritshëm”, deklaroi Lajçak në intervistë për RTK.

    Tutje, Lajçak tha se presin që, në takimin e 27 shkurtit, të dy liderët ta pranojnë propozimin evropian.

    “27 shkurti është sigurisht një ditë shumë e rëndësishme, ku do të kemi takimin tonë mes dy liderëve, por, për herë të parë, do t’i kushtohet propozimit evropian për normalizim të marrëdhënieve. Pra, u takon dy liderëve që ta bëjnë atë një Ditë D, dhe shpresoj që do të jetë rezultati”.

    “Ne presim që ata zyrtarisht dhe publikisht të deklarojnë se e pranojnë planin”.

    Ai shtoi se, pas pranimit të propozimit, nga palët pritet që të dalin me plane konkrete se si ta zbatojnë atë.

    “Do të jetë më shumë se pranim gojor, por nuk dua të flas për ceremoni sepse ne duam të diskutojmë dhe planifikojmë. Do të diskutojmë për planin e zbatimit, sepse është shumë e rëndëishme që të zbatohet edhe ajo që do të dakordohet. Dhe kështu i inkurajomë palët që të vinë me propozime konstruktive dhe të arsyeshme në lidhje me planin e zbatimit”, tha emisari Lajçak. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!