×
  • Lajme
  • Lajme

    Lajçak për takimin e 27 shkurtit Kurti-Vuçiq: Diskutimet nuk ishin të lehta dhe nevojitet shumë punë për tu bërë

    Reporteri
    04 Mars 2023 | 13:12

    Kosova dhe Serbia më 27 shkurt janë pajtuar për Planin evropian për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

    Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, pas takimit deklaruan se janë pajtuar që të takohen më 18 mars.

    Për takimin e 27 shkurtit, ka folur i dërguari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, të cilin e ka cilësuar takim të mirë e të sinqertë.

    “Ishte një takim i mirë…diskutimi mes dy liderëve ishte shumë i hapur, i sinqertë, emocional ndonjëherë, por shumë i respektueshëm, shumë interesant për ta ndjekur. Më i rëndësishme ishte se palët janë pajtuar se nuk nevojiten diskutime të mëtejshme mbi Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve…”, tha Lajçak në një intervistë për Atlantic Council.

    Ai shtoi tutje se teksti/propozimi evropian është zyrtarisht i mbyllur dhe fokusi është në aneksin për zbatimin e Propozimit.

    Lajçak tha tutje se palët nuk janë pajtuar për shumë çështje, megjithatë diskutimi ishte i mirë.

    “Diskutimet nuk ishin të lehta dhe nevojitet shumë punë për tu bërë…”, tha ai.

    I dërguari i BE-së foli edhe për gatishmërinë e Kurtit për ta nënshkruar Propozimin.

    “Do të ishte e pamatur (si proces) pasi pa aneksin për zbatim do të ishte më shumë një deklaratë politike se marrëveshje ligjore. Dhe për këtë theksuam të presim deri në mirëkuptim të plotë dhe marrëveshje të plotë se si do të zbatohet…”, tha ai.

    Kurti dhe Vuçiqi takohen në Ohër më 18 mars

    Takimi i radhës i liderëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut do të mbahet më 18 mars në Ohër, ka konfirmuar zyrtari i BE-së.

    Ky do të jetë një takim ku liderët do të diskutojnë planin e zbatimit që është pjesë integrale e Marrëveshjes mes dy vendeve.

    Skenari i dëshiruar për palën evropiane është që ky të jetë një takim ku liderët do të pajtohen për një aneks të planit që përfshin një kalendar të qartë se kur duhet të përmbushen të gjitha elementet e saj.

    Diskutimi për propozimin evropian konsiderohet i mbyllur për palën evropiane, pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e mbajtur më 27 shkurt në Bruksel, u pajtuan për tekstin e propozimit të BE-së. /Reporteri.net/.

     

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!