Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka takuar sot në Bruksel Kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq. Takimi është zhvilluar në sallën ku zakonisht bashkë me Kryediplomatin e BE’së, Josep Borrell, i presin Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Lajçak ka shkruar në llogarinë e tij në platformën “X” për këtë takim, ku ka thënë se është folur për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Sipas tij, kjo marrëveshje ende s’ka filluar të zbatohet në thelb, shkruan Reporteri.net.
Ai ka bërë me dije se janë diskutuar edhe çështje të tjera që rrjedhin nga marrëveshjet e arritura në të kaluarën dhe se janë dakorduar për hapat e ardhshëm.
“Prita sot në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë. Folëm për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila ende nuk ka filluar të zbatohet në thelb. Diskutuam gjithashtu një sërë çështjesh të rëndësishme që rrjedhin nga marrëveshjet e kaluara dhe ramë dakord për hapat e ardhshëm”, ka shkruar Lajçak.
Hosted the Chief negotiators of Kosovo and Serbia in Brussels today. We spoke about the implementation of the Ohrid Agreement, which is yet to start on substance. We also discussed a number of important issues stemming from past agreements and agreed on next steps. pic.twitter.com/ZOpMwjfa1H
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) October 24, 2024
Qeveria e Kosovës ka dalë më një komunikatë, përmes së cilës ka njoftuar se Bislimi në takim ka përmendur nevojën për nënshkrimin e marrëveshjeve, si garanci për zbatim të saj, nevojën për tërheqjen e letrës së deponuar nga Serbia përmes ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimin e kryekriminelit dhe terroristit Millan Radoiçiq nga ana e Serbisë, si kryesi i aktit terrorist të Banjskës.
“Në takimin bilateral me emisarin Lajçak si dhe në atë trilateral, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit, e atë në tërësi dhe pa vonesa të mëtejme, përmes një plani të sekuencimit të drejtë dhe të barabartë mes palëve.”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.
Qeveria njoftoi se një nga temat e trajtuara në takimin bilateral me emisarin Lajçak, ka qenë dhe çështja e personave të pagjetur.
“Gjithashtu u diskutua edhe për marrëveshjet mbi lirinë e lëvizjes, energjinë dhe vizitat zyrtare. Emisari Lajçak vlerësoi hapjen e qendrës për inspektime teknike në veri, gjersa përmendi që brenda një muaji do të lëshohen linjat e interkoneksionit duke avancuar me zbatimin e marrëveshjes së energjisë.”, është thënë në komunikatën e Qeverisë.