×
  • Lajme
  • Lajme

    Lajçak: Vendimin e Gjykatës Kushtetuese e di gati përmendësh, ai thotë se Asociacioni duhet themeluar

    Reporteri
    23 Shkurt 2023 | 21:00
    Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Fotografi nga arkivi.

    Emisari i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka komentuar përpjekjet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Lajçak tha se anipse si marrëveshje u nënshkrua në vitin 2013, nga përfaqësues të tjerë, kjo nuk do të thotë se nuk duhet marrë parasysh nga ata që aktualisht udhëheqin me shtetin e Kosovës, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

    “Kur bëhet fjalë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ka shumë deklarata për të jashtë dialogut dhe jo në dialog. Uroj që kjo të ishte ndryshe. Është propozim që u dakordua mes Kosovës dhe Serbisë më 2013. Por kur njerëzit që përfaqësonin Kosovën dhe Serbinë dhe BE-në u ulën dhe u morën vesh. Qeveritë ndryshojnë por paktet mbesin. Kjo është pika numër 1. Nuk duhet ta shohim atë si armik apo kërcënim, por si mundësi. Mundësi për të sjellë besim në mes të serbëve që jetojnë në Kosovë dhe shqiptarëve. Ekzistojnë modele funksionale europiane që mund të merren si shembull”, tha Lajçak në intervistë për RTK-në.

    Tutje, Lajçak foli edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Asociacionin, të cilin Kurti po e përdor si një prej arsyeve pse kjo strukturë nuk duhet themeluar.

    Ai tha se e di përmbajtjen e vendimit, dhe se, sipas tij, Kushtetuesja e lejon themelimin e Asociacionit.

    “Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e di gati përmendësh. Ajo thuhet që duhet themeluar dhe se qeveria duhet ta marrë parasysh konstatimin e gjykatës. Mendoj se udhëzimi është shumë i qartë. Mendoj se Kosova është multi-etnike. Nuk mendoj se ka një komunë të vetme mono-etnike. Ka shqiptarë që jetojnë në veri të Kosovës. Nuk duam të aplikojmë modele që do të përjashtonin njerëz. Kosova është palë e barabartë në dialog. Të mos kemi frikë”, thotë Lajçak.

    Emisari Lajçak shtoi se ende nuk është vendosur asgjë lidhur me procesin e themelimit apo jo të Asociacionit, por se disa elemente janë dakorduar.

    “Nuk ka marrëveshje. Ka disa elemente të dakorduara. Por jemi shumë larg asaj ku do ta dimë se si do të jetë. Personalisht jam kundër diçkaje që duhet të testohet për herë të parë dhe nuk është testuar askund tjetër. Jam rojtar i asaj që quhen vlera europiane dhe ato duhet të implementohen në dialog”, përfundoi ai. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!