Gjermania ka nxjerrë një Projektligji të ri për migracionin që u jep një shans të gjithë atyre personave që kanë pesë vjet që jetojnë në këtë shtet për të marrë leje të përhershme qëndrimi.
E nga ky projektligj pritet të përfitojnë edhe shumë bashkatdhetarë tanë, të cilët ende nuk e kanë të rregulluar çështjen e leje-qëndrimit në Gjermani.
Detajet lidhur me këtë projektligj i ka sqaruar redaktori i DW-së, Bahri Cani. Aio ka theksuar se është një projektligj i miratuar nga Qeveria gjermane, por jo ende nga Bundestagu. Sipas tij, ky projektligj bëhet i plotfuqishëm pasi të miratohet në Bundestag, gjë e cila pritet të ndodhë në vjeshtë.
Sipas tij azilkërkuesit e refuzuar që në Gjermani jetojnë me ‘Dul-Dung’ (leje e përkohshme e qëndrimit), duhet të dëshmojnë se e kanë një vend pune dhe mund të jetojnë pa ndihmën e shtetit dhe se e kanë mësuar gjuhën gjermane.
“Këta persona nuk guxojnë të kenë rënë ndesh me ligjin dhe të paraqesin dokumente të falsifikuara. Derisa sa i përket punëtorëve të kualifikuar ata mund të marrin familjet e tyre menjëherë edhe pa njohjen e gjuhës gjermane”, ka shtuar Cani.
Ai ka theksuar se ky është vetëm hapi i parë i këtij projektligji sepse Gjermania planifikon edhe ndryshime dhe reforma tjera në ligjin e emigracionit.
“Është planifikuar që të bëhet mundësia që njerëzit që duan të marrin nënshtetësinë gjermane të mos heqin dorë nga nënshtetësia e tanishme, siç është tani, derisa do të ketë edhe lehtësime tjera për refugjatët dhe për azilkërkuesit në qasje për tregun e punës. Por, kjo mendohet për të ardhmen”, ka nënvizuar Cani.