Parlamenti Evropian i ka dhënë dritën jeshile Kosovës lidhur me liberalizimin e vizave, ku qytetarët mund të lëvizin lirshëm në Evropë pa viza nga 1 janari 2024, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Parlamenti Evropian miratoi të martën vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, miratim ky që u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.
“Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit dhe asnjë amendament. Prandaj, qëndrimi i Këshillit është miratuar dhe akti i propozuar është miratuar”, tha Kryetarja e PE-së, Roberta Metsola.
Siç ishte njoftuar nga PE-ja, pas miratimit të liberalizimit në seancë plenare të martën, të nesërmen akti formalisht bëhet ligj, e që nënshkruhet nga presidentja PE-së dhe përfaqësuesi i Suedisë që mban presidencën e BE-së deri më 30 qershor.
Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën ka qenë e lidhur me sistemin ETIAS.
Me votimin pro liberalizimit të vizave për Kosovën nga PE-ja kjo çështje është përmbyllur dhe të mërkurën e 19 prillit do të jetë ceremonia për nënshkrimin e Aktit ligjor./Reporteri.net/