Avokati i Popullit ka dhënë një opinion në lidhje me largimin nga puna të disa zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Ky opinion vjen pas ankesave nga disa punonjës të MPJD, të cilët janë larguar nga puna me vendimet e ministres së MPJD-së, Donika Gërvalla-Schwarz. Ankuesit pretendojnë se atyre u janë shkelur të drejtat kushtetuese lidhur me të drejtën e punës dhe ushtrimit të profesionit, si dhe të drejtat e tjera të garantuara sipas legjislacionit në fuqi.
Gazeta online Reporteri.net ka siguruar opinionin e Avokatit të Popullit lidhur me këtë rast, ku ky institucion ka ardhur në përfundim se vendimet nuk janë në harmoni me konceptin e pritshmërisë së ligjshme dhe të arsyeshme të sigurisë juridike.
“Avokati i Popullit vlerëson se në rastin konkret vendime e MPJD nuk duhet se në vete bartin frymën e sundimit të ligjit e po ashtu nuk janë në harmoni me konceptin e pritshmërisë së ligjshme dhe të arsyeshme të sigurisë juridike.”, thuhet në opinionin e siguruar nga Reporteri.net.
Përfundimet e nxjerra nga Avokati i Popullit:
Avokati i Popullit do të ofrojë qëndrimin e përgjithshëm lidhur me procesin e largimit nga puna të disa zyrtarëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në dirën e garancive kushtetuese dhe ligjore sa i përket të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Në bazë të rrethanave të theksuara më sipër Avokati i Popullit vlerëson se procesi i ndërprerjes së marrëdhënies së punës nga njëra palë është i rregulluar me ligj, e që në rastin e ankuesve ka qenë në fuqi Ligji për Shërbimin Civil.
Në këtë drejtim Avokati i Popullit vlerëson së parimi i sundimit të ligjit në rastin konkret reflektohet në zbatimin e dispozitave të Ligjit për Shërbimin civil, si dhe rrethanave të përcaktuara në këtë ligj.
Avokati i Popullit konsideron se koncepti i pritshmërisë së ligjshme dhe të arsyeshme dhe i sigurisë juridike u mundësojnë subjekteve që veprimet e tyre t’i bazojnë në përcaktimet ligjit dhe rrethanave të përcaktuara në dispozitat ligjore, e po ashtu t’i realizojnë të drejtat e tyre që rrjedhin nga dispozitat e theksuara ligjore.
Avokati i Popullit thekson se siguria juridike në rastin konkret plotësohet vetëm nëse shkarkimi i zyrtarit është bërë nëse janë plotësuar rrethanat e përcaktuara në ligj, e në rastin konkret vetëm kur të plotëson kushtet e përcaktuara në nenin 87 të Ligjit për Shërbimi Civil.
Për më tepër, duke pasur parasysh këtë fakt, vjen në shprehje edhe plotësimi i konceptit të pritshmërisë legjitime dhe të arsyeshme, sepse zyrtarët nuk duhet të ndihen të pasigurtë dhe ndaj tyre të merren masa për largim nga puna, nëse ata paraprakisht nuk i kanë plotësuar kriteret për largim nga puna, të përcaktuara me ligj.
Përfundimisht, Avokati i Popullit konsideron se nxjerrja e vendimeve për largimin e zyrtarëve e zyrtarëve nga marrëdhënia e punës duhet të bart në vete frymën e sundimit të ligjit si dhe të habi bë pajtim me konceptin e pritshmërisë së ligjshme dhe të arsyeshme dhe të sigurisë juridike.
Ndryshe, 11 ish-diplomatët e shkarkuar në mars të vitit 2022 me vendim të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, i janë drejtuar gjykatës duke kërkuar rikthimin e tyre në punë dhe kompensimin e të gjitha pagaeve dhe beneficioneeve të llogaritura që nga dita e shkarkimit. Ministria e Jashtme shkarkimin e kishte arsyetuar duke thënë se shërbyesit diplomatik dhe konsullor, janë emëruar në mënyrë të jashtëligjshme, ndërsa avokati i tyre pret që Departamenti për Çështje Administrative i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ta vërtetojë të kundërtën. /Reporteri.net/