Filozofi Blerim Latifi ka bërë një krahasim të masakrës që bën serbët mbi të burgosurit të Dubravës, me pushkatimet që ndodhët në vitin 1944 kur nazistët pushkatuan të burgosurit në Normandi të Francës.
Latifi, duke cituar shkrimtarin e njohur Zhan Pol Sartrin, ka potencuar se “fashizmi nuk përcaktohet nga numri i viktimave që shkakton, por nga mënyrë se si i vret ato”, shkruan Reporteri.net.
Me këtë, ai ka vënë në barazpeshë masakrat e këtyre viteve në Francë me ato të vitit 1999 në Dubravë, duke shtuar se ndonëse krimet ishin të njëjta, trajtimi nga drejtësia ka qenë i ndryshëm.
Latifi ka shtuar se fashizmi serb është i vetmi në Evropë që nuk është dënuar dhe, sipas tij, mosdënimi i tyre ndjell krime të reja./Reporteri.net
Publikimi i tij i plotë:
Shkrimtari i famshëm francez Zhan Pol Sartri shkruan se “fashizmi nuk përcaktohet nga numri i viktimave që shkakton, por nga mënyra se si i vret ato”. Kur në qershor të vitit 1944, trupat aleate bënë zbarkimin e madh në Normandi të Francës, nazistët urdhëruan njësitë e SS-ve që t’i pushkatojnë të burgosurit nëpër burgjet e zonës, ku kishte ndodhur zbarkimi i aleatëve anglo-amerikanë. Në mesin e këtyre pushkatimeve, më e njohura është Masakra në Abacinë Ardenne, në të cilën u masakruan dhjetëra të burgosur. Qindra të burgosur të tjerë u ekzekutuan në dhe rreth qytetit të Caen-it, i cili ndodhet afër Normandisë.
Nëse ka një ngjarje analoge me këto masakra, ajo është Masakra në Burgun e Dubravës në majin e vitit 1999, masakër në të cilën njësitë ushtarake serbe vranë mbi 160 të burgosur shqiptarë, e qindra të tjerë mbetën të plagosur, pikërisht në ditët kur intervenimi i NATO-s kundër Serbisë ishte në kulminacionin e tij.
Por, derisa metoda e krimit është e njëjtë, motivi fashist i masakrave poashtu i njëjtë, trajtimi i tyre nga drejtësia ka qenë i ndryshëm. Për Masakrën naziste të qershorit 1944 në Abacinë Ardenne është bërë gjyqi i disa prej autorëve të saj. Ndërkaq, për Masakrën serbe të majit 1999 në Burgun e Dubravës, askush deri me tani nuk është gjykuar e lëre më dënuar.
Fashizmi serb është fashizmi i vetëm në Europë që vazhdon të mbetet i padënuar. Dhe, ne e dijmë, qysh nga kohërat e tragjedive antike greke, se krimet e padënuara ndjellin krime të reja.