Lidhja Demokratike e Kosovës ka përkrahur Projektligjin për Mjetet e Trustit të iniciuar nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se në fillim kanë pasur rezerva karshi kësaj iniciative, nën idenë se do të ketë veprime qeveritare. Mirëpo, sipas Hotit, qeveria nuk ka bërë kurrgjë dhe, si pasojë, i ka ofruar mbështetje iniciativës së tërheqjes së Trustit.
Ai ka premtuar votën pro Projektligjit në fjalë.
Votë për tërheqjen e Trustit do të ketë edhe AAK-ja, sipas Pal Lekajt.
Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere pritet të hidhet në votim ky projektligj, i cili më pas do t’i dorëzohet Kuvendit në rast se miratohet në parim.
Tërheqja e Trustit është përkrahur nga PDK dhe AAK, por është kundërshtuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, shkruan Reporteri.net.
Kryetari i Komisionit, Armend Muja ka paraqitur arsyet për të cilat ai ka thënë se janë kundër tërheqjes së Trustit.
Muja ka thënë se nuk mbahet mend një praktikë e tillë të ketë ndodhur në botë apo në Evropë, në rrethana kur vendi është në gjendje të rëndë ekonomike
Ai ka thënë se me tërheqjen e Trustit nuk ndihmohen shtresat e varfra, por të pasurit.
“Nuk ka të bëjë asgjë me inate personale. Në vitin 2020 është miratuar Ligji për Rimëkëmbje ekonomike për tërheqjen e rreth 200 milionë eurove nga kursimet pensionale. Janë tërhequr mbi 200 milionë euro.
Po flas sa i përket praktikës. Trusti Pensional dhe Kursimi është obligim, nuk është opsionale. Nuk mbaj mend në Evropë ose dikund në botë që pa marrë parasysh shkallën ekonomike të jenë drejtu Trustit për ta zgjedhur këtë skemë, nuk janë prekur kursimet pensionale”, u shpreh Muja në Komision.