Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar kallëzim penal për “keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe tejkalim të autorizimeve” ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit dhe ministrave në detyrë që janë zgjedhur deputetë, shkruan Reporteri.net.
Kallëzimi penal është dorëzuar nga Nënkryetaret dhe deputetet e kësaj partie, Hykmete Bajrami dhe Doarsa Kica-Xhelili. Mediat kanë publikuar pamje kur Bajrami e Kica-Xhelili kanë hyrë në objektin e Prokurorisë.
Kjo parti pretendon se ata po e ushtrojnë në mënyrë joligjore mandatin e kryeministrit dhe ministrave, edhe pasi janë zgjedhur deputetë.
Bajrami ka thënë më herët se nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve më 27 mars, i bie se “qytetarë të thjeshtë kanë marrë vendime në ndërtesat e Qeverisë së Republikës së Kosovës”./Reporteri.net