Partia Demokratike e Kosovës tash ka tjera halle e agjendë. Duke qenë gati 12 vjet në pushtet, ajo ka vendosur që kësaj herë të qendrojë në opozitë. Vendin e saj në qeveri e Kuvend po tentojnë ta ndajnë bashkë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, shkruan Reporteri.
Në PDK kanë festë sonte, ndoshta pikërisht, kur pritet të bëhet koalicioni qeverises, apo të hapet rruga për zgjedhje.
“Ftoheni të merrni pjesë në shënimin e 20 vjetorit të themelimit të Rinisë Demokratike të Kosovës!
Data 27.1.2020
Vendi: Menza “Ramiz Sadiku”, Prishtinë
Ju mirëpresim!”, është një ftesë që sot kanë pranuar aktivistët e zyrtarët e PDK-së. Festa e PDK-së nis në ora 18:30.
Kjo parti së fundi ka zgjedhur edhe kryesinë e saj dhe ka formuar disa departamente. Gjithashtu ka caktuar edhe zëdhënësin. Ka premtuar opozitë të fortë por konstruktive.
Në anën tjetër, nga LDK e LVV po përpiqen që sonte ta kenë koalicionin.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, bashkë me nënkryetarin Lutfi Haziri dhe zyrtarë të tjerë të kësaj partie, kanë arritur në Kuvendin e Kosovës.
Në pyetjen e gazetarëve se a do të ketë sot marrëveshje LDK-VV, Mustafa u përgjigj shkurt.
“Për ata po shkojmë, tash mbetet ta shohim, jemi të vullnetshëm për marrëveshje në mënyrë që të procedojmë matutje”, ka thënë ai.
Edhe Albin Kurti u shpreh optimist.
“Se a do të arrijmë marrëveshje nuk e di, por, jam optimist për arritjen e marrëveshjes”, deklaroi i pari i LV-së.