Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Paris Guri i ka reaguar Avdullah Hotit i cili tha se “LDK-ja ka nevojë për lidership të ri”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Guri ka bërë një postim në Facebook duke publikuar një fotografi të Lumir Abdixhikut e në të cilën ka shkruar “Lideri i Rikthimit”.
Avdullah Hoti përmes një postimi të gjatë në Facebook, renditi disa pakënaqësi që ka me lidershipin aktual të partisë ku ai bën pjesë.
Ai tha se se katër vitet e fundit, lidershipi i partisë është angazhuar në ristrukturimin e partisë dhe degëve në gjithë Kosovë, por në shumë raste, kjo është bërë në mënyrë selektive, jostatutore dhe pa konsideratën e nevojshme ndaj disa specifikave të brendshme të LDK-së. Hoti po ashtu ka thënë se lidershipi aktual ka krijuar distancë ndaj njerëzve dhe arritjeve të Kosovës gjatë qeverive të udhëhequra nga LDK-ja.
Hoti, në mesin e pakënaqësive, ka përmendur edhe përbërjen e listës, “renditja e kandidatëve në listë, paraqitja dhe favorizimi medial i një liste të ngushtë të kandidatëve të LDK-së, si dhe çështje të tjera para dhe gjatë fushatës”, të cilat sipas tij e kanë dëmtuar kohezionin e brendshëm partiak.
/Reporteri.net/