Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vendosur që Kuvendi Zgjedhor i kësaj partie të mbahet më 3 gusht. Por, deri më tani asnjë prej kandidaturave për kryetar partie nuk është bërë publike dhe çdo gjë po mbahet e fshehtë. E sot nga kjo parti është njoftuar se do të mbahet mbledhja e Kryesisë, në orët e mesditës por pa dhënë detaje të tjera shtesë.
Megjithatë, zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa, ka treguar se as në mbledhjen e sotme nuk do të bëhen të njohur për publikun emrat e kandidatëve për kryetar të partisë.
“Ne e kemi me statut të partisë kandidaturat shpallen vetëm me 3 gusht në kuvendin zgjedhor të partisë, ky është takim i rregullt i kryesisë aktuale dy ditë para kuvendit zgjedhor” ka thënë ai për Gazetën Blic.
Ndërsa deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Ramiz Kelmendi ka sqaruar me në detaje situatën rreth zgjedhjeve brenda kësaj partie.
Ai theksoi se në këtë mbledhje do të diskutohet mbi ecurinë e kuvendit zgjedhor të LDK-së me datën 3 gusht.
“Sot do të diskutohet rreth vazhdimit të organizimit të kuvendit zgjedhor, në mënyrë që të shkojë gjithçka në rregull në kuvend, do të diskutohen të gjitha detajet rreth mundësisë për ndonjë incident të mundshëm që mund ti prishte imazhin e kuvendeve zgjedhore që janë më demokratike në LDK”, ka thënë ai.
Kelmendi, u deklarua edhe për kandidaturat e mundshme për kryetar të kësaj partie.
“Kandidaturat sigurisht që janë qartësu goxha shumë, por gjithmonë po kërkohet një lider politik i cili do ta udhëheqë LDK-në dhe vendin në këto kohëra të vështira siç janë bisedimet me Serbinë, liberalizimi i vizave, taksa. Unë besoj që zoti Mustafa duhet të jetë kandidat dhe do të vazhdojë edhe më tej ta udhëheqë LDK-në deri sa të zgjidhen këto çështje madhore të Kosovës dhe pastaj mund të tërhiqet në çdo moment dhe të bëhet një zgjedhje tjetër”, u shpreh ai.
Ndryshe Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë zgjedhjeve të brendshme në degë dhe nëndegë është përballur me problematike të cilat kanë eskaluar deri në përleshje fizike.