Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar kallëzim penal për “keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe tejkalim të autorizimeve” ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit dhe ministrave në detyrë që janë zgjedhur deputetë.
Nga kjo parti ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që të nis hetime ndaj Kurtit dhe të tjerëve, të shqyrtojë të gjitha vendimet e marra nga Qeveria pas datës së certifikimit si dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar përgjegjësi penale dhe politike, shkruan Reporteri.net.
“Kjo është një thirrje e qartë për përgjegjësi ligjore dhe integritet institucional. Për LDK-në askush, pavarësisht funksionit, nuk mund të vendoset mbi ligjin. Republika e Kosovës duhet të funksionojë mbi themelet e barazisë para ligjit dhe ndarjes së pushteteve”, thuhet në komunikatë.
Sipas LDK’së, duke mos u larguar nga funksionet ekzekutive dhe duke vazhduar të përdorin burimet institucionale të shtetit, ata kanë vepruar në kundërshtim me ligjin dhe kanë prodhuar pasoja konkrete institucionale, financiare dhe juridike.
“Këto veprime përbëjnë shkelje të rëndë të parimeve të shtetit të së drejtës dhe konsumojnë elementet e veprës penale të nenit 414 të Kodit Penal të Kosovës – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, theksohet në njoftim./Reporteri.net